Ambasada virtuale amerikane u bën thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Irani menjëherë





Ambasada virtuale e SHBA-së në Iran të premten u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të largohen nga vendi “tani” nëse është e mundur dhe të kenë një plan për largim që nuk mbështetet në ndihmën e qeverisë amerikane, transmeton Anadolu.

“Masat e rritura të sigurisë, mbylljet e rrugëve, ndërprerjet e transportit publik dhe bllokimet e internetit janë duke vazhduar. Qeveria e Iranit vazhdon të kufizojë aksesin në rrjetet mobile, fikse dhe kombëtare të internetit. Linjat ajrore vazhdojnë të kufizojnë ose anulojnë fluturimet për në dhe nga Irani”, tha ambasada në një alarm sigurie të publikuar në faqen e saj të internetit.

“Qytetarët amerikanë duhet të presin ndërprerje të vazhdueshme të internetit, të planifikojnë mjete alternative komunikimi dhe, nëse është e sigurt ta bëjnë këtë, të marrin në konsideratë largimin nga Irani me rrugë tokësore drejt Armenisë ose Turqisë”, shtoi ajo.

Njoftimi paralajmëroi se qytetarët amerikanë përballen me një rrezik të konsiderueshëm të marrjes në pyetje, arrestimit ose ndalimit në Iran, duke rekomanduar që të shmangin demonstratat dhe të “mbajnë një profil të ulët”.

Më tej thuhet se nëse largimi është i pamundur, njerëzit duhet të gjejnë një “vend të sigurt” brenda banesës së tyre ose një ndërtese tjetër të sigurt si dhe të mbajnë një furnizim me “ushqim, ujë, ilaçe dhe artikuj të tjerë thelbësorë”.