Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në intervistën për “Politica” në TV Globi ka shpalosur se projektet rreth tre Qendrave spitalore në vend janë drejt fundit dhe se Ministria e Financave do të duhet të zgjedh se kush është ofertuesi më i mirë.
Projekti për tre spitalet do të kushtojë rreth 205 milionë euro.
“Projekti për Tetovën, Kërçovën dhe ai në Shtip është memorandum që e kemi nënshkruar mes qeverisë sonë dhe Britaninë e Madhe. Janë mjete nga Bankat, me atë që qeveria britanike qëndron si garanci që të merren me kosto më të ulët. Do të shpenzohen 205 milionë euro për këto tre Qendra dhe jemi në fund, do të duhet nga Ministria e Financave të zgjidhet kush është ofertuesi më i mirë për këtë infrastrukturë dhe të fillojë implementimi”, ka thënë Aliu.
Ai thotë se është bërë analizë se cili është kapaciteti në bazë të demografisë dhe shërbimeve shëndetësore që do të fillojnë shumë shpejt me projektimin e këtyre tre Qendrave.
“Në Tetovë kemi biseduar me komunën, kemi sfida bazike, në Shkup nuk e kishim definuar hapësirën ku qëndrojnë këto objekte, na doli problem shumë i ngjashëm edhe në Tetovë ku kemi filluar ta zgjidhim edhe këtë problem, në Kërçovë nuk do të na del problem, sepse është e definuar hapësira ku do të ndërtohet objekti”, ka thënë ministri Aliu.