Ali Ahmeti takon Ambasadorin e Spanjës, theksohet përkushtimi për rrugën euroatlantike dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi sot një takim miqësor me Ambasadorin e Spanjës në vend, Rafael Soriano Ortiz, në frymën e dialogut të hapur dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Gjatë takimit u diskutua për orientimin strategjik të Maqedonisë së Veriut, sfidat që lidhen me stabilitetin afatgjatë politik dhe institucional, si dhe proceset integruese të vendit. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e zbatimit të plotë dhe konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit, e cila u vlerësua si garanci themelore për paqen, bashkëjetesën ndëretnike dhe funksionimin demokratik të shtetit multietnik.
Ahmeti nënvizoi se rruga euroatlantike e Maqedonisë së Veriut mbetet një zgjedhje strategjike e qartë dhe pa alternativë, e mbështetur në vullnetin politik dhe aspiratën qytetare për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas tij, anëtarësimi në BE përfaqëson një objektiv madhor shtetëror, i cili kërkon unitet të brendshëm politik, thellim të reformave dhe përgjegjësi të përbashkët nga të gjitha subjektet politike.
Në takim u vlerësua se përshpejtimi i procesit të integrimit evropian është thelbësor për forcimin e stabilitetit institucional, nxitjen e zhvillimit ekonomik, rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe konsolidimin e themeleve demokratike të shtetit.
Bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për vazhdimin e dialogut dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në funksion të stabilitetit rajonal dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut./TS



