Aleanca për Shqiptarët: Refuzimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është diskriminim institucional

Aleanca për Shqiptarët shpreh kundërshtim të plotë ndaj përgjigjes zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, me të cilën refuzohet peticioni i studentëve shqiptarë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Dokumenti i siguruar nga Agjencia e lajmeve INA konfirmon atë që prej kohësh e denoncojmë: shteti po e përdor ligjin si instrument përjashtimi, jo si mekanizëm barazie.

Arsyetimi i Ministrisë se “verifikimi i njohjes aktive të gjuhës maqedonase bëhet vetëm përmes provimeve në gjuhën maqedonase” është i papranueshëm, diskriminues dhe juridikisht i dobët. Njohja e gjuhës maqedonase nuk vihet në dyshim, por mohimi i së drejtës për të dhënë provimin në gjuhën shqipe është shkelje direkte e parimit të barazisë gjuhësore dhe e frymës kushtetuese.

Pretendimi se Ligji për provimin e jurisprudencës “nuk parashikon” përdorimin e gjuhës shqipe nuk është argument, por justifikim politik. Ligji nuk ndalon gjuhën shqipe. Mungesa e vullnetit për ta zbatuar barazinë nuk mund të maskohet me teknikalitete ligjore.

Po ashtu, teza se ky provim shërben si “filtër” për profesionet juridike e bën edhe më të qartë problemin: shqiptarët filtrohen jo sipas dijes juridike, por sipas gjuhës. Kjo është diskriminim institucional, i pastër dhe i qëllimshëm.

Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare. Kjo nuk është slogan politik, por fakt kushtetues. Hierarkitë artificiale mes “gjuhës primare” dhe “gjuhës dytësore” janë konstruksione politike që prodhojnë pabarazi reale.

Aleanca për Shqiptarët kërkon rishqyrtim urgjent të këtij vendimi diskriminues, si dhe ndryshim të praktikës dhe interpretimit ligjor që përjashton gjuhën shqipe.

Studentët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë të drejtën elementare për arsimim, avancim profesional dhe barazi para shtetit që pretendohet të jetë multietnik dhe demokratik.

Heshtja dhe refuzimi i institucioneve vetëm sa e thellojnë krizën e besimit dhe e ekspozojnë shtetin si selektiv, jo të drejtë.

Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë ta mbështesë këtë kauzë në çdo nivel politik, institucional dhe publik. Kjo betejë nuk është vetëm për një provim. Është për dinjitet dhe barazi.

Aleanca për Shqiptarët