Ahmed Qazimi Ramanxhiku kërkon seancë urgjente të Këshillit Komunal: “13 ditë të humbura nga alarmet për bombë – siguria në shkolla është alarmante”
Nga një postim i publikuar në Facebook, Ahmed Qazimi Ramanxhiku ka reaguar ashpër lidhur me situatën e sigurisë në shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë, duke kërkuar publikisht nga Këshilli Komunal i Tetovës që të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme vetëm me një pikë të rendit të ditës – siguria në shkolla informon Tetovasot.
“Si prind, nuk mund të hesht”, shkruan Ramanxhiku, duke theksuar se ajo që po ndodh në shkollat e Tetovës ka tejkaluar çdo normë dhe kufi të tolerueshëm.
Sipas tij, për shkak të alarmeve për bomba janë humbur 13 ditë mësimore, ndërsa nxënësit kanë mbetur pa mësim normal, pa siguri dhe pa qetësi.
Ai ngre disa pyetje shqetësuese: sa orë mësimore janë humbur, sa tema kanë mbetur pa u zhvilluar dhe sa fëmijë kthehen çdo ditë në shtëpi me frikë në sy.
Ramanxhiku vlerëson se incidentet e shpeshta nëpër shkolla nuk mund të konsiderohen më si raste të izoluara, por si një gjendje serioze dhe alarmante.
Në aspektin psikologjik, ai paralajmëron për pasoja të rënda për fëmijët, duke theksuar se alarmet e shpeshta po lënë gjurmë të dukshme, si ankth, stres, pasiguri dhe humbje të përqendrimit.
Ndërkaq, në aspektin e sigurisë, Ramanxhiku kërkon masa urgjente dhe të strukturuara, duke përmendur nevojën për protokolle më të forta, koordinim më të mirë ndërinstitucional, prani më të shtuar të institucioneve kompetente dhe investim real në sigurinë fizike dhe digjitale të shkollave.
“Si prind, kërkoj veprim , jo arsyetime”, thekson ai, duke përsëritur thirrjen që Këshilli Komunal i Tetovës të mbajë një seancë të jashtëzakonshme kushtuar vetëm çështjes së sigurisë në shkolla.
Në fund të reagimit të tij, Ramanxhiku nënvizon se siguria e fëmijëve nuk është çështje politike, por detyrim moral dhe institucional.Tetovasot