Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi në intervistën dhënë për “Lajm” ka folur edhe rreth zërave që u liferuan
në opinion nga disa portale, për dalje të mundshme të Lëvizjes Besa nga Qeveria.
Azizi e demanton ashpër këtë dhe e shpjegon si dëshirë të shfrenuar të BDI-së, vetëm e vetëm për t’u
kthyer në qeveri.
“Mendoj se është ajo dëshira e shfrenuar e BDI për t’u kthyer në qeveri, pasi ata një kohë të gjatë nga
momenti që ne zhvillonim negociata me VMRO-në, rrinin pas dere, bile është i mirënjohur fakti që e
kanë pohuar edhe eksponentë të VMRO-së pastaj protagonistë të ngjarjes që kanë qenë në zyrën 161 të
Kuvendit, ku BDI i ofroi VMRO-së pa kryetarin e Kuvendit dhe më pak ministra, vetëm për t’u bërë pjesë
e qeverisë”, rikujton Azizi.
Nga kjo dëshirë, siç shton ai, lindin edhe deklarimet dhe lajmet se Lëvizja Besa po e lëshon qeverinë dhe
këndej, BDI mezi pret të futet në qeveri.
Nuk mund të luajmë si subjekt i veçantë, jemi VLEN
“Ne kemi marrë mandat, jemi subjekt serioz dhe po bëjmë betejën brenda institucioneve për të bërë më
të mirën e mundshme dhe derisa kjo betejë jep rezultate do të jemi aty për të mbrojtur interesat e
shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve. Ne nuk mund të luajmë si subjekt i veçantë, pasi kemi një koalicion
me VLEN dhe çdo lloj vlerësimi për të vazhduar, apo hipotetikisht për të dalë nga qeveria, do ta marrin
liderët e VLEN-it, e jo si një subjekt i veçantë”, ka nënvizuar Azizi.