Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, konfirmoi se SHBA-të kanë nisur sulme kundër Iranit përmes një videoje tetëminutëshe të publikuar në rrjetin e tij social, „Truth Social“.
Ai tha se „aktivitetet kërcënuese“ të Teheranit „rrezikojnë drejtpërdrejt SHBA-të, forcat tona, bazat tona jashtë vendit dhe aleatët tanë në mbarë botën“.
„Për 47 vite,“ shtoi Trump, „regjimi iranian ka bërtitur ‘Vdekje Amerikës’ dhe ka udhëhequr një fushatë të pamëshirshme gjakderdhjeje.“
Ndërkohë, Irani po përgatitet për hakmarrje pas sulmeve izraelite dhe amerikane të këtij mëngjesi, deklaroi një zyrtar i Teheranit për agjencinë e lajmeve Reuters.
Zyrtari tha për agjencinë se „përgjigjja do të jetë katastrofike“. Nuk është ende e qartë se çfarë do të thotë kjo konkretisht ose cilat objektiva mund të shënjestrojë Irani.
Izraeli njoftoi se të shtunën ka nisur një sulm parandalues ndaj Iranit, duke e shtyrë Lindjen e Mesme drejt një konflikti të ri ushtarak dhe duke zbehur më tej shpresat për një zgjidhje diplomatike të mosmarrëveshjes afatgjatë bërthamore të Teheranit me Perëndimin. Zyrtarët amerikanë konfirmuan se SHBA-të po marrin pjesë në këto sulme.
Qeveria izraelite ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të hakmarrjes së pritshme iraniane me dronë dhe raketa balistike.