Edhe përskaj zotimit për luftë të ashpër kundër bixhozit, e sidomos atij online, institucionet vazhdojnë të mos kenë kontroll të plotë ndaj kësaj industrie. Ministria e Transformimit Dixhital, njoftoi se po vepron vazhdimisht në bazë të kompetencave dhe se deri më tani ka mbyllur 307 faqe ilegale që rregullonin lojëra të fatit online. Por nga ky dikaster theksojnë se zgjidhja sistematike shihet te Ligji për Lojërat e Fatit.
“Lidhur me zgjidhjen ligjore sistematike ( Ligji për lojërat e fatit) procesi është në procedurë, ndërsa Ministria e Transformimit Dixhital vazhdon të veprojë në korniza të kompetencave të saj“ – Ministria e Transformimit Dixhital.
Zgjidhja ligjore sistematike ( Ligji për Lojërat e Fatit) është në procedurë
Por duket se ligji ka “humbur” rrugëve të procedurës. Nga Ministria e Financave si propozues, thonë se ligji ndodhet në procedurë në Kuvend. Por nga Kuvendi thonë se ligji ishte dorëzuar fillimisht, por i njëjti më vonë është tërhequr.
Propozim ligji në fjalë, e kishte kaluar filtrin e ekzekutivit, shtatë muaj më parë, ndërsa Izet Mexhiti, në cilësinë e zëvendës kryeministrit të parë, pati deklaruar se me këtë vendim do të zhvillohej një luftë e ashpër kundër bixhozit. Kjo “luftë” ishte edhe një nga premtimet kryesore të koalicionit VLEN përpara zgjedhjeve parlamentare.
“Me projekt ligjin të cilin e miratuam dje ne Qeveri, në start do të ulet prezenca e kësaj katastrofe kolektive për të paktën 70 për qind, po e theksoj, ky është vetëm fillimi. Pra nga mbi 7000 aparate VLT, me goditjen e parë do të eliminohen 4000, po ndalojmë reklamimin e bixhozit. Kazino më nuk do të ketë më në vendbanime, fshatra qytete, siç ishte gjendja aktualisht. Po largojmë klubet e bixhozit dhe bastoret të cilat organizojnë bixhoz për të paktën 500 metra nga objektet shkollore,” deklaroi Izet Mexhiti, Zv kryeministër i parë.
Tentim për rregullim të industrisë së Lojërave të Fatit kishte edhe me herët gjatë qeverisjes LSDM-BDI. Në shkurt të vitit 2024 deputetët miratuan Ligjin për Lojërat e fatit, i cili nuk u dekretua në atë nga kohë nga presidenti Stevo Pendravoski. Zv.kryeministri i atëhershëm Artan Grubi tentoi që përmes plotësimit të këtij ligji të rregullojë çështjen e ndarjes së bixhozit online, por dështoi. Në dhjetor të vitit 2024 Prokuroria nisi procedurë hetimore ndaj Artan Grubit dhe mikut të tij, ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, nën dyshimet për keqpërdorime me Lotarinë Shtetërore. Që atëherë Grubi dhe Bajrami ndodhen në arrati. Ndaj tyre është shpallur fletëarrest ndërkombëtar.