18 vjetori i Pavarësisë/ Kurti: Akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë
18 vjetori i Pavarësisë e gjen Kosovën mes festës dhe protestës. Dhjetëra mijëra qytetarë shënuan përvjetorin duke u mbledhur në sheshin Skenderbeu, për të kërkuar drejtësi për ish krerët e UÇK-së që gjykohen në Hagë. Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli tha se drejtësia nuk mund të jetë selektive, nuk mund të jetë e dirigjuar, por duhet të jetë e drejtë, transparente dhe e barabartë për të gjithë.
“Qytetarët duan Drejtësi, Jo Politikë. E sot, nga kjo ditë e Pavarësisë, ne dërgojmë një mesazh të qartë për ata që gjenden në Hagë – për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët: ju nuk jeni vetë. Pas jush qëndron një popull i tanë. Pas jush qëndron historia jonë, sakrifica jonë, liria jonë. Ata nuk janë vetëm”, tha Ismail Tasholli, organizator.
Kryeministri Albin Kursi, në seancën e Kuvendit kushtuar përvjetorit, tha se ish-krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër një regjimi gjenocidal.
“Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër shtypjes shekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik dhe politik të luftës çlirimtare, së cilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krimet kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare i ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për përsëritje të tyre sot është Serbia e Vuçiqit. Barazia mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është e paqëndrueshme dhe e papranueshme për ne”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Krahas kësaj, Kurti tha se Kosova nuk do të lëshojë pe kur është fjala për çështjen e sovranitetit shtetëror.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmendi ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë. Ajo tha se Hashim Thaçi dhe të tjerët që po gjykohen në Gjykatën Speciale janë ngritur për liri, andaj çdo përpjekje për njollosje të luftës është e papranueshme. /