Sot shënojmë 100 ditët e para të mandatit të pestë të qeverisjes 20 vjeçare të një klike në Çair. Fatkeqësisht, këto 100 ditë nuk sollën asnjë ndryshim real për qytetarët.
Në këto 100 ditë pamë të njëjtat dukuri që e kanë shoqëruar komunën për më shumë se 20 vjet: ndërtesa pa leje që vazhdojnë pa asnjë kontroll, madje edhe ndërtime të reja mbi ndërtesa tashmë ilegale; korrupsion të rëndë; kapje partiake të institucioneve; nepotizëm i paprecedentë, mungesë totale iniciative dhe përgjegjësie.
Institucionet nuk po funksionojnë si shërbim për qytetarët, por po sillen si zyra partie. Ka kaos urban, mungesë të theksuar higjiene publike, uzurpim të pronës shtetërore dhe keqpërdorim sistematik të resurseve publike. Mashtrimi është bërë mënyrë qeverisjeje, ndërsa premtimet zgjedhore kanë mbetur vetëm në letra dhe postime.
Këto 100 ditë ishin vetëm një paralajmërim i asaj që do të ndodhë në katër vitet e ardhshme: vazhdim i një rrethi të mbyllur prej 20 vjeç keqqeverisjeje, ku interesat e një grupi të vogël vendosen mbi interesin publik dhe mbi të ardhmen e Çairit.
Qytetarët e Çairit meritojnë institucione funksionale, sundim të ligjit, zhvillim urban të rregullt dhe një administratë që punon për ta, jo për pasurimin e dy tre kusherinjëve.
Ne do të vazhdojmë ta ngremë zërin, me fakte dhe përgjegjësi, për të mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e qytetarëve të Çairit.