Zbulohet një planet i ri ‘potencialisht i banueshëm’, 6% më i madh se Toka

Astronomët sapo kanë zbuluar një planet të ri potencialisht të banueshëm, rreth 146 vite dritë larg Tokës, që ka kushte të ngjashme me ato të Marsit.

Planeti në fjalë, i quajtur HD 137010 b, rrotullohet rreth një ylli të ngjashëm me Diellin dhe vlerësohet të jetë 6% më i madh se Toka.

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh nga Australia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka e dalluan planetin duke përdorur të dhënat e mbledhura në vitin 2017 nga misioni i teleskopit hapësinor Kepler i NASA-s (tani “i pensionuar”) , i njohur si K2.

Sipas Dr. Chelsea Huang, një studiuese në Universitetin e Queenslandit Jugor, Australi, planeti ka një orbitë të ngjashme me atë të Tokës, që zgjat rreth 355 ditë.

Studiuesit vlerësojnë se planeti ka “rreth 50% shanse të jetë në zonën e banueshme” të yllit rreth të cilit orbiton.

“Ajo që është vërtet emocionuese në lidhje me këtë planet me madhësinë e Tokës është se ylli i tij është vetëm [rreth] 150 vite dritë larg sistemit tonë diellor”, tha Huang, bashkautor i studimit të botuar në Astrophysical Journal Letters.

“Planeti tjetër më i mirë rreth një ylli të ngjashëm me Diellin në një zonë potencialisht të banueshme, [Kepler-186f], është rreth katër herë më larg dhe 20 herë më i zbehtë.”

Megjithatë, në lajmet “e këqija”, ylli rreth të cilit orbiton HD 137010 b është më i ftohtë dhe më pak i ndritshëm se dielli ynë , që do të thotë se temperatura në sipërfaqen e HD 137010 b është e ngjashme me atë të Marsit dhe ndoshta varion nën -70°C.

Sipas ekspertëve, do të nevojiten kërkime të mëtejshme për ta “promovuar” planetin HD 137010 b nga “kandidat” në “të konfirmuar” të banueshëm.