Vuçiç: Ngjarjet në Venezuelë tregojnë se e drejta ndërkombëtare nuk funksionon, sundon ligji i më të fortit





Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vlerësoi se ngjarjet në Venezuelë kanë treguar qartë se e drejta ndërkombëtare publike dhe Karta e Kombeve të Bashkuara praktikisht nuk funksionojnë, ndërsa në botë dominon ligji i më të fortit. Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit për Siguri Kombëtare, ai deklaroi se Serbia duhet të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse dhe të mbështetet ekskluzivisht te vetja.

“Rendi i vjetër botëror po shembet dhe asnjë rregull nuk vlen më. E drejta ndërkombëtare publike ekziston vetëm në letër. Si një vend i vogël, duhet ta kuptojmë këtë dhe të përgatitemi në përputhje me rrethanat”, tha Vuçiç, duke shtuar se zhvillimet në Venezuelë janë dëshmia më e qartë se Karta e OKB-së nuk respektohet.
Ai theksoi se Serbia mbetet në të njëjtin qëndrim si në fillim të luftës në Ukrainë dhe se dëshiron marrëdhënie të mira me SHBA-në, por se është e qartë që parimet nuk zbatohen njësoj për të gjithë. Sipas tij, ndërhyrja amerikane në Venezuelë ka marrë mbështetje vetëm nga disa vende, ndërsa Meksika dhe Brazili janë shprehur qartë kundër, kurse reagimet evropiane kanë qenë kontradiktore.
Duke iu referuar marrëdhënieve globale, Vuçiç vlerësoi se Kina po forcohet ekonomikisht, Rusia ushtarakisht, por se SHBA-ja mbetet ende forca dominuese, veçanërisht në sektorin e energjisë. Në këtë kontekst, ai njoftoi se Serbia po e ndjek me kujdes armatosjen e Prishtinës dhe bashkëpunimin e Kosovës me Kroacinë dhe Shqipërinë, duke theksuar se Beogradi do të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të veta ushtarake si mjet parandalues dhe për ruajtjen e paqes.
Vuçiç deklaroi se Serbia nuk planifikon të sulmojë askënd, por duhet të jetë mjaftueshëm e fortë për të mbrojtur veten. Ai paralajmëroi një forcim të ndjeshëm të kapaciteteve ushtarake gjatë një viti e gjysmë të ardhshëm, pa hyrë në detaje.