Vrasja e Santiago Malkos, SPAK kërkon 32 vite burg për Leonard Dukën! Nëna e viktimës: Dënoheni me vdekje
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, GJKKO,, këtë të hënë u zhvillua seanca për gjyqin ndaj Leonard Dukës, për të cilin SPAK ka kërkuar dënimin me 32 vite burg.
Avokatja e mbrojtjes, Melina Gjeta, gjatë konkluzioneve përfundimtare, deklaroi:
“Konkluzionet e SPAK nuk janë të bazuara në prova dhe ligj. Nuk ka prova konkrete, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media.”
Gjeta theksoi gjithashtu se disa dëshmi janë dhënë nën presion dhe nuk mund të përdoren si prova ligjore:
“Dëshmia e Blendi Tetës, që pretendon se është kërcënuar dhe vendosur nën presion nga Policia e Shtetit dhe Ervis Martini, nuk mund të përdoret nga prokurori në konkluzione përfundimtare. Ajo nuk i shërben së vërtetës, por është fabrikim prove.”
Nga ana e tij, Leonard Duka u shpreh:
“Deklaroj që jam i pafajshëm dhe prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia që të më dëmtojnë. Kam besim te drejtësia.”
Ndërkohë, e ëma e viktimës, Santiago Malkos, kërkoi dënimin më të ashpër:
“Leonard Duka më ka vrarë djalin. Me solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe më tha që s’kam gjë me Santin, por doli e më vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë.”
Gjykata do të japë vendimin për këtë çështje më 21 janar, ora 11:45.