Von der Leyen mbështet protestuesit në Iran: Protestat kundër qeverisë të vazhdojnë





Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Evropa mbështet protestat masive të iranianëve dhe dënon “shtypjen e dhunshme” kundër demonstruesve.

Ajo theksoi se protestuesit e burgosur iranianë të lirohen, ndërsa demonstratat kundër qeverisë në Teheran vazhdojnë në të gjithë vendin.

“Rrugët e Teheranit dhe qytetet anembanë botës, kumbojnë me hapat e grave dhe burrave iranianë që kërkojnë liri. Liri për të folur, për t’u mbledhur, për të udhëtuar dhe mbi të gjitha për të jetuar lirisht. Evropa i mbështet plotësisht ata. Ne dënojmë pa mëdyshje shtypjen e dhunshme të këtyre demonstratave legjitime. Ata që janë përgjegjës do të mbahen mend në anën e gabuar të historisë”, shkruan von der Leyen, kryetare e Komisionit Evropian, në internet.

Protestat në Iran shpërthyen dhjetorin e kaluar, të nxitura nga zemërimi publik për situatën brutale ekonomike të vendit. Megjithatë, brenda pak ditësh, ato u shndërruan në kundërshtim të hapur ndaj udhëheqjes klerike të vendit.

Demonstratat antiqeveritare vazhduan të shtunën, mes raportimeve për spitale të mbingarkuara dhe një apeli nga ushtria iraniane drejtuar qytetarëve duke u kërkuar atyre të pengojnë “komplotet e armikut”.

Sipas grupit Aktivistë të të Drejtave të Njeriut në Iran, të paktën 65 persona ishin vrarë deri të premten, 2,311 persona ishin arrestuar dhe protesta ishin regjistruar në 512 vende në 180 qytete. Revista Time raportoi të premten se më shumë se 200 persona kanë vdekur në protesta.