VLEN: Me ligjet e reja, shteti godet ekonominë gri dhe mbështet fuqishëm ekonominë formale

VLEN me kënaqësi të veçantë dhe krenari të plotë politike përshëndet miratimin e ligjeve të reja reformuese, të cilat shënojnë një kthesë të madhe dhe vendimtare në luftën kundër ekonomisë gri dhe në ndërtimin e një ekonomie të fortë, të drejtë dhe plotësisht formale në vend.

Me udhëheqjen e Ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, Qeveria po dëshmon vendosmëri të qartë për të vendosur rregull, transparencë dhe siguri në tregun e punës. Ligji për Angazhimin me Punë të Personave, që hyn në fuqi nga 1 janari 2026, përfaqëson një reformë thelbësore dhe moderne, duke krijuar kushte reale për nxjerrjen e mijëra qytetarëve nga informaliteti.

Ky ligj pritet të formalizojë mbi 17.000 persona, veçanërisht në sektorët ku ekonomia gri ka qenë më e theksuar, si bujqësia dhe turizmi, duke garantuar pagesë të drejtë, kontribute të rregullta dhe mbrojtje ligjore për punëtorët, si dhe procedura të thjeshtuara dhe efikase për punëdhënësit.

Në të njëjtën kohë, Ligji për Mbështetjen Financiare të Investimeve forcon ekonominë formale përmes stimulimit të investimeve, hapjes së vendeve të reja të punës dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.

VLEN vlerëson se ky kombinim ligjesh është një reformë e guximshme, vizionare dhe transformuese, që krijon klimë të drejtë afariste, shtet funksional dhe perspektivë të sigurt për qytetarët. VLEN, nga fjalët te veprat.