Valbon Limani takon rininë e Gostivarit: Janë garancia e fitores më 11 janar





Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit, ka zhvilluar sonte në Gostivar një takim të zgjeruar me rininë e koalicionit, duke konfirmuar rolin kyç të të rinjve në mobilizimin elektoral dhe në vizionin politik të kësaj force.

Në këtë takim morën pjesë kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, kryesuesi i Këshillit Komunal Valdet Xhaferi, kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, si dhe drejtuesit e shtabeve zgjedhore.

Të rinjtë e pranishëm shprehën përkushtimin e tyre maksimal për ditët e fundit të fushatës, duke u zotuar se do të intensifikojnë angazhimin në terren me synimin për të siguruar një fitore bindëse për kandidatin Valbon Limani.

Në fjalën e tij, Limani falënderoi rininë për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se ata kanë qenë promotorë të rezultatit prej rreth 17 mijë votash në rrethin e parë zgjedhor dhe se edhe kësaj here do të jenë faktori vendimtar që do ta vulosë fitoren. Ai nënvizoi se të rinjtë do të kenë një rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike gjatë katër viteve të ardhshme, duke vënë në pah përfaqësimin e tyre të konsiderueshëm në Këshillin Komunal, ku një pjesë e këshilltarëve të rinj të AKI-së janë pikërisht nga radhët e rinisë.

Takimi u mbyll me një mesazh të qartë mobilizues, duke bërë thirrje për angazhimin e çdo të riu, të reje dhe familjarëve të tyre, me synimin që më 11 janar në Gostivar të shënohet një fitore e thellë dhe domethënëse për Valbon Limanin, si shprehje e vullnetit qytetar dhe e besimit në një qeverisje gjithëpërfshirëse.