Trumpi – Iranit: Bëj marrëveshje ose goditja e radhës do të jetë më e keqe

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka kërkuar Iranit të mërkurën të ulet në tryezë dhe të arrijë një marrëveshje për armët bërthamore, përndryshe sulmi i ardhshëm i SHBA-së do të jetë shumë më i keq.

“Shpresojmë që Irani të ulet në tryezë shpejt dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – Jo armë bërthamore – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët. Koha po mbaron, është vërtet thelbësore”, ka shkruar Trumpi në një postim në rrjetet sociale.

Presidenti republikan i SHBA-së, i cili u tërhoq nga një marrëveshje bërthamore shumëkombëshe e vitit 2015 me Teheranin gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ka vërë në dukje se paralajmërimi i tij i fundit ndaj Iranit u pasua nga një sulm ushtarak.

“Sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i keq! Mos e bëni këtë të ndodhë përsëri”, ka shkruar Trumpi. Ai ka njoftuar gjithashtu se një tjetër “armadë” po lundron drejt Iranit.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ka thënë se nuk kishte qenë në kontakt me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, ditët e fundit, dhe as nuk kishte kërkuar negociata, raportuan mediat shtetërore më herët të mërkurën.

Të mërkurën është bërë e ditur po ashtu se SHBA-ja do të nisë stërvitje ushtarake në Lindjen e Mesmë, mes tensioneve të shtuara me Iranin.

Një ditë më parë, atje ka arritur edhe aeroplanmbajtësja “Abraham Lincoln”.