Trump: Nëse nuk mundet në mënyrë të lehtë, SHBA do të duhet ta marrin Grenlandën në mënyrë më të vështirë (VIDEO)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, vazhdoi me kërcënimet ndaj Grenlandës, duke insistuar se nëse SHBA nuk veprojnë, Rusia ose Kina mund ta okupojnë atë në të ardhmen, raporton “CNN”.

Trump tha se nëse nuk mund të arrijë një marrëveshje për të marrë territorin “në mënyrë të lehtë”, do të duhet “ta bëjë në mënyrë më të vështirë”, transmeton “CNN”.

“Ne do të bëjmë diçka për Grenlandën, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo, sepse nëse nuk e bëjmë këtë, Rusia ose Kina do ta marrin Grenlandën, dhe ne nuk do t’i kemi Rusinë ose Kinën si fqinjë,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Partitë grenlandeze, përfshirë edhe opozitën, lëshuan një deklaratë të përbashkët ku thuhet: “Ne nuk duam të jemi Amerikanë, nuk duam të jemi Danezë, duam të jemi Grenlandezë. E ardhmja e Grenlandës duhet të vendoset nga njerëzit e Grenlandës,” raporton media.

Presidenti i SHBA dhe përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë po shqyrtojnë disa opsione për vendosjen e Grenlandës nën kontrollin e SHBA, në një kohë kur ka interes të rinovuar për territorin strategjik që kontrollohet nga Danimarka, dhe nuk e përjashtuan mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake. Qeveritë e Grenlandës dhe Danimarkës vazhdojnë të insistojnë publikisht dhe privatisht se Grenlanda nuk është për shitje.

Ende nuk dihet, raporton media, se si do të reagojnë anëtarët e tjerë të NATO-s nëse SHBA vendosin ta marrin Grenlandën me forcë. Liderët evropianë paralajmëruan se një veprim i tillë do të kishte pasoja serioze për aleancën ushtarake. Në një deklaratë të përbashkët, liderët e Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Polonisë dhe Spanjës thanë se Grenlanda i përket qytetarëve të saj.

“Do të doja të arrinim një marrëveshje në mënyrë të lehtë, por nëse kjo nuk është e mundur, do ta bëjmë në mënyrë më të vështirë. Dhe, me rast, unë jam një adhurues i madh i Danimarkës. Duhet të them, ata ishin shumë të mirë me mua. Unë jam një adhurues i tyre i vërtetë,” tha Trump, transmeton “CNN”.

Ai pretendoi se ky veprim është i nevojshëm për të parandaluar që Rusia ose Kina ta marrin Grenlandën në një moment të ardhshëm.

Kur u pyet për raportin e fundit që SHBA po konsideron pagesa për banorët e Grenlandës për t’i bindur të bashkohen me SHBA, Trump tha: “Ende nuk po flas për para për Grenlandën.”

Shumë banorë të Grenlandës tashmë e kanë refuzuar idenë e pranimit të parave në këmbim të bashkimit me SHBA.

Trump vazhdimisht ka insistuar se nëse SHBA nuk veprojnë, Rusia ose Kina mund ta okupojnë Grenlandën në të ardhmen.

Kryeministrat e Grenlandës dhe Danimarkës me seli në Uashington u takuan me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë të enjten.

Kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen, së bashku me katër udhëheqës të tjerë partiakë, përsëri hodhën poshtë thirrjet e Trump që SHBA të marrin territorin gjysmë-autonom në një deklaratë të lëshuar vonë të premten, raporton Reuters.

Liderët thanë se seanca e planifikuar e parlamentit të Grenlandës, Inatsisartut, për të diskutuar përgjigjen ndaj kërcënimeve të administratës Trump, do të shtyhet. Data e seancës ende nuk është caktuar. Parlamenti i Grenlandës u mblodh për herë të fundit në nëntor, dhe seanca tjetër ishte planifikuar për 3 shkurt.