Trump i kërcënon me taksa të reja shtetet që janë kundër marrjes së Grenlandës nga ShBA-ja

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të premten kërcënoi se do t’u vendosë taksa shteteve që nuk pajtohen me ambiciet e tij për aneksimin e Grenlandës, territor autonom i Danimarkës.

revive-zoneid=”212″ data-revive-ct0=”{clickurl_enc}” data-revive-id=”935b907f801750abfe73f018697a3320″>

Trumpi tha në një takim në Shtëpinë e Bardhë se ai “mund t’u vendosë taksa shteteve që nuk pajtohen me Grenlandën”, raporton televizioni BBC.

Përpos Danimarkës e Grenlandës, edhe shtete të tjera janë kundër ambicieve të tij dhe shumë figura në ShBA shprehin skepticizëm se plani mund të realizohet. Përderisa Trumpi po fliste, një delegacion i Kongresit të ShBA-së po e vizitonte Grenlandën për t’i shfaqur mbështetje.

Grupi prej 11 vetash përfshiu republikanë që shprehën shqetësime rreth thirrjeve të presidentit që ShBA-ja ta sigurojë disi kontrollin e Grenlandës për arsye të sigurisë kombëtare. Ata u takuan me depuetë danezë, kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, si dhe homologun e saj nga Grenlanda, Jens-Frederik Nielsen.

Trumpi ka thënë se Grenlanda është jetike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe se vendi i tij do ta marrë ishullin “në mënyrën e lehtë apo në mënyrën e vështirë” – duke iu referuar ideve për blerjen e ishullit ose marrjen e tij me forcë.

“Unë mund t’u vendos një taksë shteteve që nuk pajtohen me Grenlandën, spese na duhet Grenlanda për sigurinë kombëtare” – tha Trumpi në takimin e Shtëpisë së Bardhë rreth kujdesit shëndetësor rural.

Grenlanda ka dendësi të vogël të popullsisë, por është e pasur me burime dhe shtrirja e saj mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën territor me pozicion strategjik për vendosjen e sistemeve për paralajmërim të hershëm në rast të sulmeve me raketa si dhe për vëzhgimin e anijeve në rajon.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë më shumë se 100 pjesëtarë të personelit ushtarak të stacionuar në mënyrë të përhershme në bazën e tyre në Pituffik. ShBA-ja ka operuar në atë qendër që nga Lufta e Dytë Botërore.