“Një nga prioritetet e mia është se si të sjellim forcë dhe energji të re në procesin bujqësor, sepse vetëm në këtë mënyrë do të sigurojmë parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri të sektorit. Krahas stimulimeve dhe programeve financiare, një nga prioritetet kyçe është rentabiliteti, sepse çdo i ri, pavarësisht nëse dëshiron të merret me bujqësi apo me ndonjë veprimtari tjetër, gjithmonë vlerëson nëse ekziston rentabiliteti. Prandaj fokusi ynë është të sigurojmë rentabilitet në sektorin bujqësor”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në emisionin “Agrar”.
Ai sqaroi se në të gjitha thirrjet publike dhe shpalljet, të rinjtë që aplikojnë pavarësisht nëse bëhet fjalë për dhënien e tokës bujqësore apo për lloje të tjera grantesh kanë përparësi.
“Në këtë mënyrë u japim derë të hapur dhe siguri për ta realizuar interesin e tyre”, theksoi ministri.
Ministri Tripunovski vuri në dukje se në Ligjin e ri për bujqësinë dhe zhvillimin rural është paraparë një masë e veçantë që do të nënkuptojë mbështetje të drejtpërdrejtë dhe rikthim të të rinjve që do të nisin biznesin e tyre bujqësor. Me miratimin e ligjit do të sigurohen grante serioze me qëllim stimulimin e të rinjve që të kthehen në zonat rurale dhe të përfshihen aktivisht në prodhimin bujqësor.
“Sinjalet e para që po vijnë pas prezantimit të kësaj ideje janë vërtet pozitive dhe për t’u përshëndetur”, theksoi ministri.
“Mesazhi im për bujqit është të vazhdojnë të jenë të guximshëm dhe të prodhojnë. Ministria dhe Qeveria do të jenë këtu, si partnerë, për të punuar në ruajtjen dhe avancimin e sektorit. Shpresoj për shëndet të mirë, një vit të begatë, kushte të favorshme klimatike dhe një vit 2026 edhe më të suksesshëm”, porositi ministri Tripunovski.
