“Tregu maqesonas i energjisë elektrike po zgjerohet me mbështetjen e bursës sllovene – sot fillon tregu brenda ditës (Intraday Market)”





Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale e përshëndet dhe e mbështet institucionalisht zbatimin e sotëm të Marrëveshjes ndërmjet Operatorit Kombëtar të Tregut të Energjisë Elektrike – MEMO SHPK Shkup dhe Bursës Sllovene të Energjisë BSP, e cila fillon zyrtarisht zbatimin e tregut brenda ditës (Intraday Market).
„Vendosja e tregut brenda ditës është një hap thelbësor për modernizimin e sektorit energjetik maqedonas dhe integrimin e tij real në tregun evropian. Me projekte të tilla konkrete ne ndërtojmë stabilitet, transparencë dhe konkurrencë në treg dhe shteti tregon qartë se e di se ku po shkon dhe pse”, deklaroi ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.
Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e MEMO, në prani të ministres Bozhinovska, nga drejtori i MEMO, Zoran Gjorgjievski, dhe drejtori ekzekutiv i bursës sllovene të energjisë BSP dhe Kryetari i Bordit Drejtues të grupacionit ADEX, Anzhe Predovnik.
Marrëveshja përfaqëson vazhdimësinë e bashkëpunimit me BSP dhe EPEX SPOT, një hap i rëndësishëm në zhvillimin e bursës maqedonase të energjisë elektrike dhe forcimin e gatishmërisë së saj teknike dhe institucionale për integrimin e tregut me Bashkimin Evropian.
Marrëveshja ofron platforma tregtare dhe kleringu për tregjet e energjisë elektrike – tregu një-ditë-përpara dhe tregu brenda ditës. Tregu një ditë përpara në Maqedoninë e Veriut funksionon me sukses që nga maji i vitit 2023 ndërsa vendosja e tregut brenda ditës përfaqëson një vazhdim logjik të procesit të kompletimit të tregut dhe integrimit evropian.
Ministrja Bozhinovska theksoi se Ministria mbështet në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme gatishmërinë institucionale dhe teknike të operatorëve të tregut:
„Qëllimi ynë është i qartë – një treg elektrik funksional, i sigurt dhe i harmonizuar me standardet evropiane. Tregu brenda ditës sjell fleksibilitet më të madh, menaxhim më të mirë të burimeve të rinovueshme dhe reduktim të rreziqeve sistemike. Është një përfitim i drejtpërdrejtë si për pjesëmarrësit e tregut ashtu edhe për stabilitetin energjetik të vendit”, theksoi Bozhinovska.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, u mbajt një takim fillestar (kick- off) me përfaqësuesit e BSP-së, i cili nisi zyrtarisht aktivitetet për ngritjen e tregut brenda ditës, zbatimi i plotë i të cilit është planifikuar deri në fund të tremujorit të dytë të vitit 2026.

Drejtori i MEMO, Zoran Gjorgjievski, vlerësoi se Marrëveshja paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e tregut të organizuar dhe përgatitjen e tij për lidhjen e ardhshme me tregun e përbashkët evropian, ndërsa Anzhe Predovnik theksoi rëndësinë e partneritetit dhe mbështetjes institucionale nga Ministria si një faktor kyç për zbatimin e suksesshëm të projektit.
Me këtë aktivitet, Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale edhe një herë konfirmon orientimin e saj strategjik për zhvillimin e një tregu funksional të energjisë elektrike, thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin e plotë në zonën evropiane të tregut energjetik.

“Tregu  maqesonas i energjisë elektrike po zgjerohet me mbështetjen e bursës sllovene – sot  fillon tregu brenda ditës (Intraday Market)”