Tragjedia në resortin e skive, Zvicra shpall 5 ditë zie kombëtare

Hetuesit zviceranë po garojnë me kohën për të bërë të mundur identifikimin e viktimave të zjarrit vdekjeprurës që përfshiu një bar në natën e ndërrimit të viteve, në vendpushimin alpin të skive Crans-Montana, ku 40 persona humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë mbetën të plagosur.

Presidenti Guy Parmelin, ka bërë me dije se vendi do të mbajë pesë ditë zie, duke e përshkruar zjarrin si një nga ngjarjet më traumatike në historinë e Zvicrës.

“Ishte një dramë e një shkalle të panjohur. Zvicra ua ka borxh atyre të rinjve, të cilëve u ndërprenë “projektet, shpresat dhe ëndrrat” e tyre, që të sigurohej që një tragjedi e tillë të mos ndodhte më kurrë”, tha ai, duke i bërë homazh shumë jetëve të reja që u humbën dhe u ndërprenë në mes.

Zjarri shpërtheu në orën 1:30 të mëngjesit në barin Le Constellation të qytetit, por ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi atë.

Disa prej dëshmitarëve kanë rrëfyer se gjithçka filloi pas ndezjes së fishekzjarrët dhe shkëndijave që u vendosën në shishet e shampanjës.

Policia zvicerane paralajmëroi se mund të duhen ditë ose edhe javë për të identifikuar të gjithë personat që humbën jetën tragjikisht.

Numri i saktë i personave që ndodheshin në bar mbetet i paqartë dhe policia nuk ka specifikuar se sa prej tyre janë ende të zhdukur.

Kryeprokurorja e kantonit, Beatrice Pilloud, deklaroi se janë vendosur burime të konsiderueshme “për të identifikuar viktimat dhe për t’ua kthyer trupat e tyre familjeve sa më shpejt të jetë e mundur”.

Pilloud tha se nuk mund të komentonte mbi raportet se qirinj të ndezur kishin shkaktuar zjarrin.

“Po zhvillohet një hetim. Ai do të identifikojë rrethanat e sakta të asaj që ndodhi”, tha ajo, duke shtuar se do të shqyrtojë nëse bari i plotësonte standardet e sigurisë dhe numrin e duhur të kapacitetit për të gjithë personat.