Ter Stegen dëmtohet në Arabinë Saudite, humb Superkupën e Spanjës





Marc-André ter Stegen, portieri kryesor i Barcelonës, ka ndërprerë para kohe qëndrimin në kampin stërvitor të skuadrës në Arabinë Saudite, pas një problemi fizik të pësuar gjatë stërvitjes.

Gjatë seancës së së martës në Xheda, gardiani gjerman u detyrua të largohej nga fusha rreth 25 minuta para përfundimit të stërvitjes, duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen e tij fizike. Dëmtimi e përjashton Ter Stegen nga pjesëmarrja në Superkupën e Spanjës, një goditje e rëndë për Barcelonën dhe trajnerin Hansi Flick.

Pas situatës së krijuar, klubi katalanas reagoi menjëherë duke thirrur Diego Kochen, portierin e Barcelonës B, për t’iu bashkuar ekipit të parë. Portieri i ri amerikan pritet të udhëtojë që të mërkurën drejt Arabisë Saudite dhe të jetë në dispozicion për ndeshjet e radhës.

Në një njoftim zyrtar, Barcelona bëri të ditur:
“Portieri Marc-André Ter Stegen po largohet nga kampi stërvitor i skuadrës Blaugrana në Arabinë Saudite për t’u rikthyer në Barcelonë, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore. Diego Kochen, portieri i ekipit rezervë, do t’i bashkohet grupit të mërkurën.”

Gjendja e Ter Stegen pritet të vlerësohet në ditët në vijim, ndërsa Barça përballet me një sfidë të papritur në prag të Superkupës.