Kreu i Aleancës për Shqiptarët – krahu i Arben Taravarit (AKI), Arben Taravari, ka paralajmëruar se pas 11 janarit kjo parti do të dalë me një platformë të re politike për Shqiptarët. Deklarata u bë në tubimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet e përsëritura lokale në Gostivar dhe Vrapçisht.
Siç raporton Tetovasot, Taravari u shpreh i bindur se kandidatët e AKI-së do të jenë fitues absolut, ashtu si në zgjedhjet e rregullta lokale të mbajtura në muajin tetor. Ai theksoi se rezultati i kandidatëve të AKI-së për Gostivarin dhe Vrapçishtin kishte qenë i thellë në raport me kandidatët e VLEN-it, por zgjedhjet u desh të përsëriten për shkak të mosarritjes së censuzit.
Taravari rikujtoi se AKI në këto zgjedhje kandidon me të njëjtët kandidatë, ndërsa pala tjetër, sipas tij, ka ndryshuar kandidatët, përfshirë edhe Nevzat Bejtën, i cili ka qenë për disa mandate kryetar i Komunës së Gostivarit. “Rezultati në zgjedhjet e fundit lokale ishte 3 me 1 dhe nuk kam asnjë dyshim se AKI do ta festojë fitoren”, tha Taravari, citon Tetovasot.
Në fjalimin e tij, Taravari përdori edhe termin “mutacion politik”, duke e kritikuar ashpër kundërshtarin politik. “Zakonisht mutacionet në biologji janë patologjike dhe janë përzierje që as nuk mund t’i kuptosh. Te pala tjetër kemi kandidatë të pavarur, por njëkohësisht të varur , të dikujt, por në fund të askujt. Ne nuk kemi nevojë për eksperimente të tilla”, deklaroi ai.
Sipas Taravarit, kandidatët e AKI-së janë kandidatë të suksesshëm, ndërsa në Vrapçisht, siç u shpreh ai, po vijnë “pelegrinë qeveritarë” që as nuk e dinë se ku ndodhet komuna dhe që, sipas tij, nuk do të shkelin më aty pas 11 janarit. “Ata vetëm tentojnë të bëjnë dëm dhe gjëra që nuk i duhen popullatës”, tha Taravari, raporton Tetovasot.
Duke folur për zhvillimet politike pas zgjedhjeve lokale, Taravari paralajmëroi se pas fitores vjen “rrëfimi i madh politik”, pasi në horizont janë zgjedhjet parlamentare. Ai theksoi se, kurdo që të mbahen ato, së bashku me Ali Ahmetin dhe partnerët e tjerë politikë, duhet të sjellin, sipas tij, “ndryshimin e vërtetë”, e jo “ndryshimin e zhgënjimit”.
Në fund, Taravari konfirmoi edhe një herë se pas 11 janarit AKI do të prezantojë një platformë të re politike për Shqiptarët, e cila, sipas tij, do të adresojë realisht nevojat dhe interesat e tyre.
