Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka qenë i drejtpërdrejtë në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, në prag të ndeshjes së Serie A ndaj Lecces, duke hedhur poshtë zërat për përforcime të reja apo rinovim kontrate gjatë këtij muaji.
Me hapjen zyrtare të merkatos së janarit, mediat italiane raportojnë se Juventusi po kërkon një mesfushor qendror. Megjithatë, Spalletti theksoi se nuk ka kërkuar asnjë transferim të ri.
“Kur pranova Juventusin, erdha me marrëveshje të qarta. Nuk pres asgjë dhe jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam në dispozicion,” u shpreh Spalletti.
Pak minuta para konferencës, Juventusi konfirmoi rikthimin e Marco Ottolini në rolin e drejtorit sportiv, një zhvillim që u komentua pozitivisht edhe nga trajneri bardhezi.
“Dua ta përshëndes Marco Ottolinin. Të gjithë e njohin dhe e vlerësojnë si profesionist të nivelit të lartë. Ai do të merret me merkaton. Është një treg mundësish për të kompletuar skuadrën, por nuk është diçka që dua ta nxis vetë. Jam i kënaqur me grupin aktual,” shtoi tekniku toskan.
Juventusi po kalon një formë shumë të mirë, duke fituar 7 nga 8 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet. Sipas La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e klubit po mendojnë tashmë për një zgjatje kontrate për Spallettin, i cili zëvendësoi Igor Tudor në tetor dhe ka kontratë deri në fund të sezonit.
Edhe në këtë pikë, trajneri ishte i qartë:
“Nëse do të më duhej një kontratë më e gjatë për t’u ndjerë i sigurt, do ta kisha kërkuar që në fillim. Nuk e bëra dhe jam mirë kështu.”
Spalletti theksoi se fokusi i tij i vetëm është puna dhe objektivat sportive:
“Më duhet vetëm të ndihem mirë me punën time dhe me njerëzit që bashkëpunojnë me mua brenda dhe jashtë fushës. Qëllimi është kualifikimi në Champions League dhe po punojmë në këtë drejtim. Në qershor do të bëjmë vlerësimet më të mira për të mirën e Juventusit dhe tifozëve.”
