Postim i Halil Snopçes:
Fillimisht, ligji u shkel duke i caktuar zgjedhjet më 11 janar, me qëllim që të pamundësohej votimi i mërgatës. Sipas të gjitha afateve ligjore, zgjedhjet duhej të mbaheshin më 28 dhjetor, në kohën kur mërgata ndodhej në vendlindje.
Edhe pse ishin zgjedhje të përsëritura, u shkua sikurse me qenë zgjedhje të reja duke i ndryshuar kandidatët e pushtetit. Nuk ka shembull tjetër në botë ku në zgjedhjet e përsëritura ndryshohen kandidatët.
U shkel gjithashtu Ligji për Vetëqeverisje Lokale duke caktuar “poverenik” në Gostivar.
Mickoski, nga foltorja e Parlamentit, duke mu drejtuar mua deklaroi: “Ke vidime koj ke pobedi vo Gostivar”, duke dhënë një mesazh të qartë se qeveria dhe VMRO-ja nuk do të lejonin fitoren e kandidatit të koalicionit AKI.
Edhe kandidati i VLEN-it dha një mesazh të natyrës “staliniste”, kur deklaroi se gostivarasit do ta votonin Valbon Limanin, por kur të numëroheshin votat do të dilte emri i Nevzat Bejtës. Kjo, në mënyrë indirekte, nënkupton se nuk ka rëndësi si votohet, por kush i numëron votat.
Megjithatë, pavarësisht këtyre fenomeneve, në Gostivar dhe në Vrapçisht, ashtu siç e theksova edhe në tubimet përmbyllëse në këto dy komuna, kur është në pyetje vullneti i popullit, nuk ekziston forcë dhe nuk ekziston aparat shtetëror që mund ta ndalë atë vullnet dhe atë vendosmëri. Siç deklarova në Gostivar: “Nuk ka bir nëne që mund ta frikësojë popullin e Gostivarit”. Ndërsa në Vrapçisht thashë: “Vullneti i popullit është si një valë deti që rrafshon tërë aparaturën shtetërore.”
Si epilog i këtyre zgjedhjeve, kemi edhe rezultatin final në këto dy komuna:
Koalicioni AKI, përballë aparaturës shtetërore e komplet qeverisë, ka arritur një fitore me një diferencë të pastër prej 10.000 votash.
Shpresoj që ky mesazh të jetë kuptuar dhe që në të ardhmen të mos ju shkojë ndërmend të përdoren të gjitha metodat për të përmbysur vullnetin qytetar, i cili u dëshmua qartë në zgjedhjet e djeshme.