Sindikatat e transportuesve të autobusëve dhe taksive: Zgjidhje të arsyeshme për rritje të pagës minimale, pa dëmtuar shërbimet për qytetarët

Të gjitha palët e përfshira duhet të qasen me arsyeshmëri për një zgjidhje për rritjen e pagës minimale, e cila për shumën prej 200 euro që kërkohet mund të realizohet vetëm me subvencionim nga shteti. Përndryshe, kjo do të rezultonte me punë minimale ose me humbje, thonë nga Sindikata e transportuesve privatë të autobusëve të qytetit të Shkupit.

“Ne shprehim shqetësim të madh lidhur me kërkesën e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë për rritje të pagës minimale për 200 euro. Ne jemi mikro-firma me një deri në dy punonjës dhe gjatë periudhës së kaluar kemi pasur një sërë problemesh me pagesën e kompensimeve që na duhej t’i paguanin nga Qyteti i Shkupit, veçanërisht gjatë kohës së kryetares Danela Arsovska, me të cilën ende kemi një proces gjyqësor për shkak të vendimeve të saj për mos-pagesën e një pjese të borxhit. Për këtë arsye ishim të detyruar të marrim kredi për të përmbushur obligimet tona ndaj qytetarëve të Shkupit. Në rast të rritjes së pagës minimale për 50 për qind, do të gjendeshim në një situatë ku më nuk do të mund të vozisim dhe do të detyroheshim të anulojmë marrëveshje, sepse puna do të ulej në minimum ose me humbje. Prandaj, i bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira të qasen me arsyeshmëri ndaj këtij problemi, për të cilin edhe ne vetë jemi të vetëdijshëm – deklaroi për MIA-n, Kemal Muriq, kryetar i Sindikatës së transportuesve privatë të autobusëve të qytetit të Shkupit.

Një zgjidhje e tillë e detyruar, shton Muriq, do të çojë ose në rritjen e çmimit të biletës së autobusit ose në anulimin e marrëveshjeve. “Por, në të dy rastet nuk do të dëmtohemi vetëm ne; shumë familje do të mbeten pa të ardhura, qytetarët e Shkupit do të mbeten pa transport, ose çmimi i biletës do të rritet”, thotë Muriq.

Në shumë shtete të rajonit dhe në Evropë, thekson ai, ekziston praktika që shteti të subvencionojë transportin publik urban, sepse në shumë raste ky transport nuk është fitimprurës pa subvencione. “Prandaj, ne absolutisht po mendojmë dhe veprojmë në këtë drejtim, duke u përpjekur të sigurojmë disa subvencione nga shteti – deklaroi kryetari i Sindikatës së transportuesve privatë të autobusëve të qytetit të Shkupit, i cili përfaqëson kërkesat e rreth 200 transportuesve.

Edhe nga Sindikata e transportuesve të autotaksive të qytetit të Shkupit thonë se rritja e pagave mund të realizohet vetëm me mbështetje dhe se financimi i pagave më të larta nga ana e transportuesve do të çonte në rritje të çmimit të shërbimit.

“Sindikata e transportuesve të autotaksive përbëhet nga anëtarë që financohen vetë, përkatësisht vetë i paguajnë kontributet dhe pagat, kështu që me çdo rritje të pagës rriten edhe kontributet. Pra, duhet të shpenzohen më shumë para, dhe kështu ulet edhe fitimi. Për të mbuluar këto shpenzime, do të duhej të rritej edhe çmimi i transportit taksi, por me rritjen e çmimit do të ulej edhe numri i pasagjerëve. Me vështirësi po arrijmë të mbulojmë edhe kontributet ekzistuese”, deklaroi për MIA-n, Gjorgji Marinovski, kryetar i Sindikatës së transportuesve të autotaksive të qytetit të Shkupit.

Zgjidhje, shton, shohim vetëm në subvencionim, përkatësisht nëse rritet paga minimale, shteti të financojë këto mjete. “Për shembull, kjo do të ishte një shumë prej plus 3.000 denarë dhe atëherë mund të mbulohej, ndërsa kështu të gjithë barrën do ta mbajnë taksistët, sepse nuk jemi në kategorinë si berberët dhe zanatçinjtë e tjerë që kanë përfitime – deklaroi Marinovski, kryetar i Sindikatës së transportuesve të autotaksive të qytetit të Shkupit, e cila bashkon 18 firma me 1.500 anëtarë.