Shqipëria nën ujë, përmbytje në Durrës, Lezhë dhe Kukës. Pezullohet mësimi, nis evakuimi i familjeve. Bllokohen tragetet drejt Italisë, rritet niveli në kaskada

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që prej mbrëmjes së djeshme, kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete.

Durrësi mbetet qyteti më i prekur nga moti i keq. Në qytetin bregdetar ka zona ku niveli i ujit arrin deri në 50 cm. Situata më problematike paraqitet në Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri). Rrugët mbeten pothuajse të pakalueshme në shumë lagje të qytetit dhe të braktisura.

Mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të Durrësit për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe bllokimit të rrugëve. Sipas Zyrës Vendore të Arsimit Durrës, prindërit dhe mësuesit janë njoftuar që të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës.

Aktualisht 8 familje po evakuohen për shkak të përmbytjes së banesave, 3 prej të cilave nga Shijaku. Ato do të sistemohen në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, ku deri tani janë strehuar 3 familje.

Situatë e rënduar paraqitet dhe në autostradën Durrës- Tiranë ku disa automjete janë fikur e paraqesin probleme për shkak të pranisë së lartë të ujit në disa segmente të këtij aksi të rëndësishëm rrugor.

Edhe në Tiranë, reshjet e dendura të shiut dhe mbushja e rrugëve me ujë ka sjellë trafik të rënduar.

Qarku Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë 96 mm shi, sipas të dhënave të Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër. Situata ka shkaktuar rritje të niveleve të lumit Drin dhe Mat, si dhe përmbytje të tokave dhe oborreve në disa zona.

Në Kukës ku vërshimi i ujërave ka përmbytur disa segmente rrugore. Problem mbeten edhe disa akse nacionale, konkretisht rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kam–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë, Bajram Curri–Valbonë si dhe aksi Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, ku ka prezencë uji dhe dëmtime të pjesshme të rrugës.

Ndërkohë, shumë rrugë rurale në të tre bashkitë e Qarkut të Kukësit janë dëmtuar si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati, duke izoluar përkohësisht disa zona.

Reshje shiu me intensitet të lartë kanë nisur edhe në Fier gjatë paradites së sotme, të shoqëruara me stuhi ere, por deri më tani nuk ka raportime për përmbytje apo dëme të shkaktuara nga moti i keq.

Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Aktualisht, po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, ndërsa gjithë procesi po monitorohet dhe menaxhohet nga specialistët e hidrocentraleve.

13:30 Reshjet e shiut shkaktojnë rrëshqitje dherash dhe gurësh në Tropojë, bllokohen disa segmente rrugore

Si pasojë e reshjeve të fundit, në territorin e Bashkisë Tropojë janë evidentuar disa problematika në infrastrukturën rrugore. Në Njësinë Administrative Bujan, Bashkia Tropojë, ka ndodhur rrëshqitje dherash, duke sjellë bllokim të rrugëve. Mjetet e bashkisë dhe punonjësit e Njësisë Administrative janë në terren dhe po kryejnë ndërhyrje të menjëhershme për normalizimin e situatës.

13:17 Rëndohet situata nga reshjet në Kukës, bllokohen 10 fshatra

Si rezultat i shembjeve, prezencës së gurëve dhe inerteve në rrugë, si dhe prurjeve të përrenjve, janë bllokuar akset rrugore si më poshtë: Rruga e fshatit Tejdrinë, Njësia Administrative Ujmisht, Rruga që lidh lagjen Haravel me fshatin Lusën, Rruga e fshatrave Lojmë dhe Orçikël, Njësia Administrative Zapod, Rruga e fshatit Borje, Njësia Administrative Shishtavec

13:00 Përmbytet nga reshjet, ministri i Drejtësisë mbërrin në burgun e Durrësit/ Beqaj e Veliaj transferohen në katin e dytë

As burgu i Durrësit nuk ka ‘shpëtuar’ nga përmbytja për shkak të motit të keq. Të paraburgosurit, mes tyre Ilir Beqaj dhe Erion Veliaj, pas përmbytjes së qelive në katin e parë janë transferuar në katin e dytë. Sikurse duket nga pamjet e siguruara nga Top Channel pranë IEVP Durrës ka prezencë të lartë të ujit për shkak të reshjeve të dendura. Vetë ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka mbërritur në burgun e Durrësit.

12:35 Bllokohet aksi nacional Tepelenë-Gjirokastër, masivi shtufor shkakton pritje tek automjetet

Bllokohet aksi nacional Tepelenë-Gjirokastër në vendin e quajtur Shkalla e Zezë. Një masiv shtufor ka rënë në rrugë duke shkaktuar bllokimin e aksit në fjalë. Kjo ka shkaktuar radhe të gjata pritjeje tek automjetet në të dy anët e rrugës. Në vendngjarje ka shkuar Policia Rrugore dhe punonjësit e firmës kontraktore për të larguar baltën shtufore.

12:07 Rriten nivelet në kaskadën e Drinit, HEC Koman dhe Vau i Dejës afrohen 1 metër nga kuota maksimale

Sipas të dhënave zyrtare, prurjet natyrore në kaskadë kanë arritur në 2,650 m³/s. Niveli i liqenit të HEC Fierza ndodhet në kuotën 281.2 metra, nga 296 metra që është niveli maksimal. Ndërkohë, HEC Koman ka arritur nivelin 174.2 metra, vetëm 1.3 metra larg kuotës maksimale prej 175.5 metrash, ndërsa HEC Vau i Dejës ndodhet në kuotën 74.9 metra, rreth 1.1 metra poshtë nivelit maksimal prej 76 metrash.

11:57 Vijon pezullimi i lundrimit në detin e Vlorës, nuk lejohen udhëtimet drejt Italisë, dallgët arrijnë deri në 7 ballë

Për shkak të situatës së krijuar dhe përkeqësimit të kushteve atmosferike, vijon pezullimi i lundrimit detar për të gjitha anijet e vogla dhe peshkarexhat, si dhe moslejimi i lundrimit drejt Italisë, për shkak të erërave të forta dhe detit me dallgë deri në 7 ballë në det të hapur. Ndërkohë, Kapiteneria e Portit të Vlorës ka njoftuar mjetet e vogla lundruese, përfshirë tonazhin e lehtë si dhe mjetet e peshkimit, që të qëndrojnë të ankoruara dhe te presin një njoftim të dytë, pasi, sipas parashikimeve, moti është përkeqësuar dhe ekziston rreziku i mbytjes se tyre.

11:37 Familja mbetet e bllokuar brenda makinës në Nishtullë, rruga e pakalueshme

Një qytetar nga Kosova së bashku me tre fëmijët kanë mbetur të bllokuar në makinë në rrugën që të çon në Nishtullë. Ata janë nisur nga Ndroqi, ndërkohë që rruga është e pakalueshme.Sikurse duket në pamje, automjeti ka mbetur i bllokuar, ndërsa po ndërhyhet me karrotrec. Në rrugë ka prezencë të madhe të ujit për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

10:51 Përmbyten tre banesa nga reshjet e shiut në Durrës, evakuohen 8 familje. Preken edhe burgjet

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të tre banesave në Durrës. Për pasojë tetë familje po evokohen, ku tre prej tyre janë nga Shijaku. Ato do të sistemohen në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, ku deri tani janë strehuar 3 familje. Po ashtu përmbytje ka dhe në IEVP-në e Durrësit.

1o:38 Reshje shiu dhe stuhi ere në Fier, hidrovoret gati për të shmangur çdo problem të mundshëm

Reshje shiu me intensitet të lartë kanë nisur edhe në Fier gjatë paradites së sotme, të shoqëruara me stuhi ere. Deri më tani nuk ka raportime për përmbytje apo dëme të shkaktuara nga moti i keq. Të gjithë hidrovoret ndodhen në gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë për të shmangur çdo problem të mundshëm.

10:29 Moti i keq në vend, anulohet për herë në dy dekada ceremonia e hedhjes së Kryqit në detin Adriatik

Besimtarët e krishterë kremtojnë sot Pagëzimin e Zotit Jezus Krisht dhe me këtë rast Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Kishën “Apostull Pavli dhe Shën Asti” të Durrësit. Në orën 10:30, pas Bekimit të Ujit në kishë, ishte parashikuar që Kryepiskopi të kryente procesin e hedhjes së Kryqit në detin Adriatik në port, por për shkak të motit ky proces nuk do të bëhet.

10:25 Trafik i rënduar nga moti i keq në Tiranë, dy autobusë pësojnë defekt në mes të rrugës

Një ngjarje e paprecedentë ndodhi këtë mëngjes në kryeqytet për udhëtarët e linjës urbane Tirana e Re. Teksa reshjet e shiut shkaktuan trafik të rënduar, qytetarët u përballën me një situatë skandaloze kur autobusët pësuan defekt në mes të rrugës, duke i lënë udhëtarët në mes të rrugës.

10:21 Shkarkohet hidrocentrali i Komanit, 700 m³/sekondë

Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Aktualisht, po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, ndërsa gjithë procesi po monitorohet dhe menaxhohet nga specialistët e hidrocentraleve.

10:20 Probleme nga reshjet e shiut në Nishtullë dhe ish-Kënetë/ Niveli i ujit në 50 cm, bllokohet i rezervuari i Spitallës

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, më disa zona të Durrësit niveli i ujit arrin deri në 50 cm. Situata më problematike paraqitet në Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri). Rrugët mbeten pothuajse të pakalueshme në shumë lagje të qytetit dhe të braktisura.

10:07 Reshjet e dendura të shiut në vend, moti i keq prek edhe bizneset e hotelerive në Spille

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytjen e hoteleve në Spille. Kjo vjen si pasojë e kanalit kryesor që u bë këtë vit. Sakaq raportohet se kjo është hera e parë që ndodh në këtë zonë. Mendohet se janë mbi 10 biznese hotelerie që janë prekur nga moti i keq.

09:57 Reshjet e dendura bllokojnë rrugët, pezullohet mësimi në shumicën e shkollave në Durrës

Mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të Durrësit për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe bllokimit të rrugëve. Sipas Zyrës Vendore të Arsimit Durrës, prindërit dhe mësuesit janë njoftuar që të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës.

09:45 Reshjet e dendura të shiut bllokojnë qarkullimin Tiranë–Durrës, Policia publikon rrugët që duhen devijuar

Për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore ka njoftuar devijime të lëvizjes: automjetet që vijnë nga jugu drejt Tiranës do të qarkullojnë përmes Rrugës së Plepave deri në Ndroq dhe më pas nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Ndërkohë, për drejtimin Durrës, automjetet duhet të kalojnë nga rruga e universitetit drejt Spitallës dhe më pas në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.

09:02 Reshje të dendura shiu në Qarkun Lezhë/ Rritet niveli i lumit Drin dhe Mat, përmbytje në disa zona

Qarku Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë 96 mm shi, sipas të dhënave të Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër. Situata ka shkaktuar rritje të niveleve të lumit Drin dhe Mat, si dhe përmbytje të tokave dhe oborreve në disa zona.

08:52 Reshjet e dendura në Kukës/ Përmbyten rrugë dhe lagje në qytet, banorët të izoluar