Shiu i rrëmbyeshëm bllokon totalisht rrugën për në fshatin Gjermë! Banorët apelojnë për ndihmë, Komuna e Tetovës në gjumë (VIDEO)
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë rajonin e Tetovës kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut, duke bllokuar rrugën kryesore që lidh qytetin me fshatin Gjermë. Si pasojë, qarkullimi i automjeteve është bërë i pamundur, ndërsa banorët janë izoluar dhe përballen me vështirësi serioze në lëvizje dhe furnizim.
Banorët e zonës apelojnë urgjentisht për ndërhyrje nga institucionet kompetente, duke kërkuar pastrimin e rrugës dhe marrjen e masave parandaluese për të shmangur rrezikun e aksidenteve dhe dëmeve të mëtejshme, njofton TS.
Sipas reagimeve të qytetarëve, Komuna e Tetovës ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret, pavarësisht situatës së rënduar dhe thirrjeve të vazhdueshme për ndihmë. Mungesa e reagimit po rrit shqetësimin e banorëve, të cilët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe përgjegjësi institucionale.
