Sefer Selimi: Pas intervistës së Ahmetit shihet njē koalicion i mundshëm VMRO – BDI

Sonte, në sfond të intervistës së Ali Ahmetit shihet një stabilizim i qartë i retorikës politike. Po vendoset gradualisht një diskurs i “normalitetit” të një koalicioni të mundshëm VMRO-DPMNE–BDI, një proces që në rrethana të tjera do të duhej të ishte krejtësisht normal: dy komunitetet më të mëdha në RMV zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe bashkëqeverisin shtetin.

Ajo që mbetet seriozisht në pikëpyetje është vullneti i sinqertë i Mickoskit dhe kapaciteti i tij për ta kuptuar realitetin faktik të shtetit që pretendon ta udhëheqë, si dhe gatishmëria për ta braktisur politikën e supremacisë etnike që ka prodhuar tensione, përjashtime dhe regres demokratik. Për këtë të fundit, sinqerisht, nuk jam i sigurt.

Ajo për të cilën jam i sigurt është se partitë politike shqiptare, ndër vite, kanë qenë më konstruktive sesa është dashur kur ka qenë në pyetje e ardhmja e shtetit dhe interesat strategjike të tij. Ky konstruktivitet nuk është vlerësuar asnjëherë si duhet, sepse vazhdon të sundojë paradigma sipas së cilës “dikush ka të drejtë të japë në këtë shtet, e dikush tjetër duhet të presë që të marrë”.

Sa duhet të jetë z. Ahmeti konstruktiv edhe kësaj radhe, vërtet nuk e di.

Por ajo që e di me siguri është se problemi nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë te besimi që i është dhënë atij. As kësaj here nuk është në pyetje fati politik i një partie të vetme, por fati i përfaqësimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të rregullta apo të parakohshme, mund të fitojë cilado parti që qytetarët e konsiderojnë të denjë për besimin e tyre. Por cilado qoftë ajo, obligimi i saj nuk është thjesht pjesëmarrja në pushtet por përfaqësimi real, dinjitoz dhe substancial i shqiptarëve, në përputhje me karakterin multietnik të shtetit dhe me parimet mbi të cilat ky shtet duhet të funksionojë.

Përfaqësimi nuk është privilegj që jepet, është e drejtë që buron nga vullneti i qytetarëve.