Rusia ofron para, liron të burgosur dhe josh të huaj për t’i plotësuar trupat e veta në Ukrainë

Fluksi i vullnetarëve që nënshkruajnë kontrata ushtarake ka mbetur i madh, duke kaluar 400 mijë vitin e kaluar, tha presidenti rus Vladimir Putini në dhjetor. Nuk ishte e mundur të verifikohej në mënyrë të pavarur ky pretendim. Shifra të ngjashme u njoftuan edhe në vitet 2024 dhe 2023.

Për punonjësit me paga mesatare në Rusi, ky është një fitim i madh në aspektin financiar. Për kriminelët që kërkojnë të shpëtojnë nga kushtet e ashpra dhe abuzimet në burg, është një mundësi për liri. Për emigrantët që shpresojnë për një jetë më të mirë, është një rrugë e thjeshtuar drejt shtetësisë.

E vetmja gjë që duhet të bëjnë është të nënshkruajnë një kontratë për të luftuar në Ukrainë.
Ndërsa Rusia kërkon t’i rimbushë forcat e veta pas gati katër vjetësh lufte — dhe të shmangë një mobilizim kombëtar jopopullor — ajo po përdor çdo mjet për të gjetur trupa të rinj për t’i dërguar në fushëbetejë.

Disa vijnë nga jashtë për të luftuar në atë që është shndërruar në një luftë të përgjakshme dhe konsumuese. Pas nënshkrimit të një traktati mbrojtjeje të ndërsjellë me Moskën në vitin 2024, Koreja e Veriut dërgoi mijëra ushtarë për ta ndihmuar Rusinë ta mbrojë rajonin e Kurskut nga një inkursion ukrainas.

Burra nga vende të Azisë Jugore, përfshirë Indinë, Nepalin dhe Bangladeshin, ankohen se janë mashtruar për t’u regjistruar për luftë, nga rekrutues që u premtuan punë. Zyrtarë në Keni, Afrikë të Jugut dhe Irak thonë se e njëjta gjë u ka ndodhur qytetarëve të tyre.

Shifrat e Rusisë në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha në konferencën e tij vjetore për shtyp muajin e kaluar se 700 mijë trupa ruse po luftojnë në Ukrainë. Ai dha të njëjtin numër në vitin 2024 dhe një shifër pak më të ulët — 617 mijë — në dhjetor 2023. Nuk është e qartë nëse këto shifra janë të sakta.

Të fshehura mbeten shifrat e ushtarëve të vdekur. Moska ka publikuar vetëm të dhëna të kufizuara zyrtare. Ministria britanike e Mbrojtjes tha verën e kaluar se më shumë se 1 milion trupa ruse mund të jenë vrarë ose plagosur.

Faqja e pavarur ruse e lajmeve Mediazona, së bashku me BBC-në dhe një ekip vullnetarësh, shqyrtoi raportet e lajmeve, rrjetet sociale dhe faqet qeveritare dhe mblodhi emrat e mbi 160 mijë ushtarëve të vrarë. Më shumë se 550 prej tyre ishin të huaj nga dhjetëra vende.

Si siguron Rusia ushtarë të rinj?

Ndryshe nga Ukraina, ku ligji ushtarak dhe mobilizimi kombëtar janë në fuqi që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia në shkurt 2022, Putini i ka rezistuar urdhërimit të një thirrjeje të gjerë.

Kur një mobilizim i kufizuar prej 300 mijë vetash u provua më vonë atë vit, dhjetëra mijëra njerëz u larguan jashtë vendit. Përpjekja u ndal pas disa javësh kur objektivi u arrit, por një dekret i Putinit la derën hapur për një thirrje tjetër. Ai gjithashtu i bëri të gjitha kontratat ushtarake praktikisht të hapura pa afat dhe ua ndaloi ushtarëve të largoheshin nga shërbimi ose të liroheshin, përveç rasteve kur arrinin kufijtë e caktuar të moshës ose ishin të paaftë për shkak të plagëve.

Që atëherë, Moska është mbështetur kryesisht në atë që e përshkruan si regjistrim vullnetar.
Fluksi i vullnetarëve që nënshkruajnë kontrata ushtarake ka mbetur i madh, duke kaluar 400 mijë vitin e kaluar, tha Putini në dhjetor. Nuk ishte e mundur të verifikohej në mënyrë të pavarur ky pretendim. Shifra të ngjashme u njoftuan edhe në vitet 2024 dhe 2023.

Aktivistët thonë se këto kontrata shpesh përcaktojnë një afat të caktuar shërbimi, si një vit, duke i bërë disa rekrutë të mundshëm të besojnë se angazhimi është i përkohshëm. Por, kontratat zgjaten automatikisht pa afat, thonë ata.

Stimulimi

Qeveria ruse ofron paga të larta dhe përfitime të gjera për rekrutët. Autoritetet rajonale ofrojnë bonuse të ndryshme regjistrimi, ndonjëherë që arrijnë dhjetëra mijëra dollarë.
Në rajonin Khanty-Mansi në pjesën qendrore të Rusisë, si shembull, një rekrut merr rreth 50 mijë dollarë në bonuse të ndryshme, sipas qeverisë lokale. Kjo është më shumë se dyfishi i të ardhurave mesatare vjetore në rajon, ku pagat mujore në 10 muajt e parë të vitit 2025 raportohej se ishin pak mbi 1,600 dollarë.

Ka gjithashtu lehtësime tatimore, falje borxhesh dhe përfitime të tjera.

Pavarësisht pretendimeve të Kremlinit për mbështetje në regjistrim vullnetar, raportet e mediave dhe ato të grupeve për të drejtat e njeriut thonë se rekrutët — burra të moshës 18–30 vjeç që kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me afat të caktuar dhe që janë të përjashtuar nga dërgimi në Ukrainë — shpesh detyrohen nga eprorët të nënshkruajnë kontrata që i dërgojnë në betejë.
Rekrutimi shtrihet gjithashtu te të burgosurit dhe ata në paraburgim, një praktikë e udhëhequr herët në luftë nga kreu i dikurshëm i grupit të mercenarëve “Wagner”, tashmë i ndjeri Yevgeny Prigozhin dhe e adoptuar nga Ministria e Mbrojtjes. Ligjet tani lejojnë rekrutimin si të të dënuarve ashtu edhe të të dyshuarve në çështje penale.

Të huajt shënjestër

Edhe të huajt janë objektiva rekrutimi, si brenda Rusisë ashtu edhe jashtë saj.

Janë miratuar ligje që ofrojnë shtetësi të përshpejtuar ruse për rekrutët. Mediat ruse dhe aktivistët raportojnë gjithashtu se bastisjet në zonat ku migrantët zakonisht jetojnë ose punojnë çojnë në ushtrimin e presionit ndaj tyre për shërbim ushtarak, ndërsa qytetarët e rinj dërgohen në zyrat e rekrutimit për të përcaktuar nëse janë në gjendje të përshtatshme për shërbimin e detyrueshëm.
Në nëntor, Putini dekretoi se shërbimi ushtarak ishte i detyrueshëm për disa të huaj që kërkojnë qëndrim të përhershëm.

Disa raportohet se joshen në Rusi nga rrjete trafikimi që u premtojnë punë, më pas i mashtrojnë të nënshkruajnë kontrata ushtarake. Autoritetet kubane në vitin 2023 identifikuan dhe kërkuan të çmontonin një rrjet të tillë që vepronte nga Rusia.

Ministri i Jashtëm i Nepalit, Narayan Prakash Saud, i tha Associated Press në vitin 2024 se vendi i tij i kërkoi Rusisë të kthente qindra shtetas nepalezë që ishin rekrutuar për të luftuar në Ukrainë, si dhe të riatdhesonte trupat e atyre që u vranë në luftë. Nepali që atëherë ka ndaluar qytetarët e tij të udhëtojnë në Rusi ose Ukrainë për punë, duke përmendur përpjekjet e rekrutimit.

Gjithashtu në vitin 2024, Agjencia federale hetimore e Indisë tha se kishte shkatërruar një rrjet që kishte joshur të paktën 35 qytetarë të saj në Rusi nën pretekstin e punësimit. Burrat u trajnuan për luftim dhe u dërguan në Ukrainë kundër vullnetit të tyre, ku disa u plagosën rëndë, tha agjencia.

Kur Putini priti kryeministrin e Indisë, Narendra Modi për bisedime në vitin 2024, New Delhi tha se shtetasit e saj që ishin “mashtruar” për t’u bashkuar me ushtrinë ruse do të liroheshin nga shërbimi.
Zyrtarët irakianë thonë se rreth 5,000 shtetas irakianë i janë bashkuar ushtrisë ruse, së bashku me një numër të papërcaktuar që po luftojnë në anën e forcave ukrainase. Autoritetet në Bagdad goditën rrjetet e tilla rekrutimi, me një person të dënuar vitin e kaluar për trafikim njerëzor. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.

Një numër irakianësh janë vrarë ose janë zhdukur gjatë luftimit në Ukrainë. Disa familje kanë raportuar se të afërmit janë joshur në Rusi me premtime të rreme dhe janë detyruar të regjistrohen; në raste të tjera, irakianët janë bashkuar vullnetarisht për pagën dhe shtetësinë ruse.
Të huajt e mashtruar për të luftuar janë veçanërisht të cenueshëm sepse nuk flasin rusisht, nuk kanë përvojë ushtarake dhe konsiderohen “të zëvendësueshëm, për ta thënë troç”, nga komandantët ushtarakë, tha Anton Gorbatsevich i grupit aktivist Idite Lesom, ose “Ikni”, që ndihmon burrat të dezertojnë nga ushtria.

Një barrë për një ekonomi në ngadalësim

Këtë muaj, një agjenci ukrainase për trajtimin e të burgosurve të luftës tha se mbi 18 mijë shtetas të huaj kanë luftuar ose po luftojnë në anën ruse. Gati 3,400 janë vrarë dhe qindra qytetarë nga 40 vende mbahen në Ukrainë si robër lufte.

Nëse është e vërtetë, kjo përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të 700 mijë trupave që Putini tha se po luftojnë për Rusinë në Ukrainë.

Përdorimi i të huajve është vetëm një mënyrë për ta përmbushur kërkesën e vazhdueshme, tha Artyom Klyga, kreu i Departamentit Ligjor të Lëvizjes së Kundërshtarëve të Ndërgjegjes, duke vënë në dukje se përpjekjet ruse të rekrutimit duken të qëndrueshme. Shumica e atyre që kërkojnë ndihmë nga grupi, i cili ndihmon burrat të shmangin shërbimin ushtarak, janë qytetarë rusë, tha ai.
Kateryna Stepanenko, studiuese për Rusinë në Institutin për Studimin e Luftës me bazë në Washington, tha se Kremlini është bërë më “kreativ” në dy vjetët e fundit në tërheqjen e rekrutëve, përfshirë të huajt.

Por përpjekjet e rekrutimit po bëhen “jashtëzakonisht të shtrenjta” për Rusinë, e cila përballet me një ekonomi në ngadalësim, shtoi ajo.