Rriten prurjet në kaskadën e Drinit, Rama: Shkarkime të kontrolluara nga HEC-et e Komanit dhe Vaut të Dejës
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka ndarë pamje nga kaskada e Drinit ndërsa ka bërë me dije se nga prurja e madhe kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.
Ai theksoi se nuk është evidentuar asnjë problematikë ndërsa KESH është duke monitoruar dhe menaxhuar situatën.
“Në kaskadën e Drinit si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, ku aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, shkarkime këto të monitoruara dhe të menaxhuara nga specialistët e hidrocentraleve.
Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë, ndërsa deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë”, shkruan Rama.
