Dera e Bashkimit Evropian është e hapur. Ekziston mbështetje e plotë për Maqedoninë e Veriut që të hyjë në BE dhe besoj se në këtë moment është e nevojshme që vendi të unifikohet – Qeveria, opozita, Kuvendi, shoqëria civile, bizneset dhe të rinjtë të jenë pragmatikë në përshpejtimin e reformave, tha sot ambasadori i BE-së në vend, Mihail Rokas.
Në promovimin e dy punimeve kërkimore, “Analizë e opinionit publik mbi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (2014 – 2025)” dhe “Pasiguri të reja globale, obligime të vjetra evropiane: Opinioni publik mbi anëtarësimin në BE në vitin 2025” në Kuvend ai shprehu bindjen se megjithëse anketa tregoi se qytetarët besojnë se faktori i jashtëm është pengesë për hyrjen në Union, nëse ndodh bashkimi i brendshëm, do të tejkalohen pengesat e tjera.
“Ju garantoj se nëse kjo ndodh, pavarësisht se çfarë mendojnë qytetarët se ka probleme, pengesat për anëtarësim do të tejkalohen. Jo vetëm që duhet të veprojmë menjëherë dhe nuk është vetëm një mundësi që duhet shfrytëzuar, por edhe koha është e tillë. Këtë dhe vitin tjetër nuk mund t’i krahasojmë me situatat pesë-gjashtë ose katër vjet më parë”, tha Rokasi, duke theksuar se tani çështja është se si të ndërtojmë partneritet, besim dhe kujt t’i besojmë.
Ai shprehu kënaqësi që sipas analizës, BE është partneri më i besuar.
“Shpresoj që me përpjekjen që do të investojmë së bashku këtë vit do të kemi rezultate edhe më të mira vitin e ardhshëm, jo vetëm në anketë, por edhe nga një aspekt pragmatik sa i përket lëvizjes së vendit drejt BE-së”, ka thënë Rokas.
Duke krahasuar anketën me atë të vitit të kaluar, ai theksoi se rezultatet ofrojnë një nxitje të madhe, pra përqindja e popullsisë që është “pro” inkuadrimit në Union është rritur me 10 për qind ose nga 61 në 71 për qind.
“Mbështetja nga të rinjtë është më e madhe. Është shumë me rëndësi që edhe të rinjtë e mbështesin, domethënë, të rinjtë tregojnë se kjo është e ardhmja. Të gjithë janë ‘pro’ BE-së. Vërejmë se qytetarët pasqyrojnë edhe prioritetet e planit të rritjes së BE-së dhe agjendës së reformave, konkretisht mbrojtjen e mjedisit, por edhe reformat gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit”, theksoi Rokas.

Ambasadorja gjermane në vend, Petra Dreksler, vlerëson se është e nevojshme të shihet perceptimi i popullsisë në lidhje me procesin e qasjes në Bashkimin Evropian.
“Përveç kompleksitetit të procesit të aderimit në Bashkimin Evropian, është e nevojshme të ketë të dhëna të mira që mblidhen gjatë një periudhe më të gjatë kohore, bazuar në korniza metodologjike koherente, në mënyrë të mund të shihet se si po zhvillohen perceptimet brenda një popullsie të caktuar në lidhje me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Dreksleri.
Duke iu referuar situatës gjeopolitike dhe diskutimeve në Davos, sipas saj, ato e kanë bërë të qartë se po jetojmë në një periudhë ndryshimesh tektonike, me implikime shumë të thella për sigurinë, mbrojtjen, paqen dhe për të ardhmen tonë si Evropë.
“Forca jonë qëndron në siguri, në konkurrueshmëri si Evropë dhe veçantinë tonë. Kjo përfshin jo vetëm shtetet anëtare, por edhe të gjithë ata që i konsiderojmë aleatë të ngushtë. Jo vetëm sepse janë partnerë të rëndësishëm tregtarë dhe me të cilët kemi lidhje të forta dhe ekonomitë tona janë të lidhura. Kemi bërë një rrugë të gjatë së bashku dekadat e fundit me të cilët ndajmë qëllime dhe kjo është që ky vend dhe ky rajon të integrohen në Bashkimin Evropian dhe asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim”, theksoi Dreksler.