Rinumërimi drejt fundit KQZ: Kanë mbetur edhe 143 vendvotime për t’u rinumëruar, procesi pritet të përmbyllet sot





Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke planifikuar që procesin e rinumërimit të vendvotimeve, ta përmbyllë ditën e sotme, më 30 janar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe 143 vendvotime për t’u rinumëruar.

Ai ka thënë se këto vendvotime u takojnë komunave, Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky process, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë. Ky proces, planifikohet të përmbyllet gjatë ditës së sotme”, ka thënë Elezi për Reporteri.net.

Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt, teksa pas shqyrtimit të ankesave që mund të paraqiten, pritet të procedohet me certifikimin e rezultateve./Reporteri.net/