Reshje të dendura shiu me intensitet të lartë kanë përfshirë disa qytete në vend duke shkaktuar përmbytje të disa rrugëve. Disa akse rrugore në Durrës janë mbuluar nga uji dhe janë bërë tërësisht të pakalueshme, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Për shkak të kushteve të motit dhe vështirësive në lëvizje, shkollat në qytet janë mbyllur. Një familje nga zona e ish-Kënetës është evakuuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në plazhin e Durrësit. Evakuimi ka ardhur pasi banesa e tyre është përmbytur.
Edhe qytetarët e Lezhës për shkak të reshjeve të rëna gjatë orëve të natës janë duke u përballur me përmbytje në disa zona. Duke u përballur me këtë situatë është pezulluar procesi mësimor në shkollat 9-vjeçare “Kosova” dhe “Gjergj Fishta”.
Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me problematikat e hasura në qarkullim në disa akse. Policia ka njoftuar disa rrugë për të devijuar lëvizjen për të shmangur qarkullimin.
Policia thekson se automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga Rrogozhinë-Elbasan-Tiranë.
Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën Tiranë-Elbasan-Rrogozhinë.
