Gjatë natës, reshjet e dëborës me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjitha zonat malore të qarkut Elbasan, duke sjellë vështirësi në qarkullimin rrugor. Pas ndërhyrjes së mjeteve borëpastruese, aksi nacional Prrenjas-Qafë Thanë është aktualisht i kalueshëm pa probleme.
Ndërkohë, në aksin nacional Librazhd-Peshkopi, si edhe në rrugët Elbasan-Gracen, Elbasan-Gjinar, Elbasan-Labinot Mal, Elbasan-Funare, qarkullimi i mjeteve kryhet vetëm me përdorimin e zinxhirëve.
Në territorin e bashkisë Librazhd, rrugët Librazhd-Steblevë dhe Librazhd-Qarrisht janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa në disa fshatra të bashkive Prrenjas dhe Gramsh situata paraqitet e njëjtë.
Si pasojë e kushteve të motit të keq, raportohet edhe mungesë e energjisë elektrike në disa zona. Sipas parashikimeve meteorologjike, në orët në vijim moti pritet të përkeqësohet, me reshje të tjera intensive dhe temperatura nën zero gradë.
