Familja e pacientes Iskra Srbinovska ka dorëzuar kallëzim penal kundër avokates Nebie Zaimovska, duke e akuzuar për paraqitje të rreme si kujdestare, mashtrim dhe vendosje të paligjshme në banesën e pacientes, në kuadër të rastit të njohur si “Geriatria”.
Në një letër dërguar portalit Derveni.mk, familjarët thonë se Iskra Srbinovska aktualisht ndodhet në institucionin e Geriatrisë jo me vullnetin e saj dhe se, sipas tyre, kjo ka ndodhur përmes manipulimeve nga ana e Zaimovskës.
Sipas kallëzimit, Nebie Zaimovska është paraqitur rrejshëm si kujdestare e pacientes, duke e vendosur atë në një institucion ku, sipas familjes, nuk ka pasur arsye të qëndrojë. Familjarët pretendojnë se Iskra është izoluar plotësisht, i është marrë telefoni dhe është ndaluar çdo komunikim me ta.
“Disa herë jemi kthyer nga porta e spitalit, me arsyetimin nga sigurimi se Nebia, përmes drejtoreshës, ka ndaluar vizitat tek Iskra”, thuhet në letrën e familjarëve, të cilët shprehin dyshime se si institucioni shëndetësor ka lejuar vendosjen e ndalimeve të tilla.
Po ashtu, familja pretendon se menjëherë pas vendosjes së Iskrës në Geriatri, Nebie Zaimovska është vendosur në banesën e saj, ku edhe aktualisht jeton, gjë që sipas tyre përbën vendosje të paligjshme në pronë.
Letra është nënshkruar nga familjari Gjorgji Pavllovski nga Velesi, i cili kërkon zbardhjen e plotë të rastit dhe veprim nga institucionet kompetente.
Deri në këto momente, nuk ka reagim zyrtar nga avokatja Nebie Zaimovska apo nga institucioni i Geriatrisë lidhur me këto pretendime.