Rama, pas protestës: Opozita e vetme në Europë me program dhunën, si ato të para 100 viteve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra pas protestës së opozitës, duke e krahasuar Partinë Demokratike me partitë famëkeqe të një shekulli më parë në Gjermani dhe Itali.

Në një reagim të gjatë në rrjetin social X, Rama bëri një dallim të qartë mes grupeve anarkiste apo ekstremiste që ekzistojnë në Europë dhe situatës në Shqipëri. Sipas tij, në Europë ka vetëm një parti parlamentare që e ka dhunën dhe shkatërrimin “pjesë të pandarë të ekzistencës së saj qysh nga lindja”.

“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…

Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!

Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!

Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër” ka shkruar Rama në X.