Qeveria siriane tha sot se trupat e saj kanë marrë kontrollin e qyteteve kryesore pranë qytetit verior të Alepos, pasi forcat e udhëhequra nga kurdët ranë dakord të tërhiqen nga zona, pas disa ditësh përleshjesh.
Ushtria Siriane njoftoi se ka “kontroll të plotë ushtarak” të qytetit Deir Hafer pasi Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, u tërhoqën nga qyteti sot në mëngjes.
“Pas dislokimit brenda qytetit, forcat qeveritare po punonin për të siguruar Deir Hafer dhe pastruar minat tokësore”, shtoi ushtria, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Siri, SANA.
Më vonë, ushtria tha se trupat siriane kishin marrë kontrollin e qytetit të afërt të Maskanah, gjithashtu në lindje të Alepos.
Megjithatë, SDF-ja tha se forcat qeveritare kishin hyrë në të dy qytetet përpara se njësitë e saj të përfundonin tërheqjen e tyre, duke shkelur marrëveshjen e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht.
“Kjo ka krijuar një situatë shumë të rrezikshme me pasoja potencialisht serioze”, tha SDF në një deklaratë online, duke paralajmëruar se përleshjet ishin duke vazhduar në Maskanah.
Milicia e SDF-së është një aleat i ngushtë i SHBA-së dhe luajti një rol udhëheqës në luftën kundër organizatës terroriste, Shtetit Islamik.
Komandanti i saj, Mazloum Abdi, njoftoi dje tërheqjen dhe ripozicionimin e milicisë në zonat në lindje të lumit Eufrat.
Ai tha se ky veprim ishte në përgjigje të thirrjeve të vendeve mike dhe ndërmjetësuesve.
Vendimi u mor si një gjest i vullnetit të mirë dhe si pjesë e një angazhimi për të zbatuar një pakt të arritur, vitin e kaluar mbi integrimin e SDF-së në forcat qeveritare, pas rrëzimit të sundimtarit të Sirisë, Bashar al-Assad.