Pse sot besoj se kryeministri Mickoski mund ta kthejë Kodrën e Diellit më të fortë se Banskon e Bullgarisë?

Rami Mislimi

Për dekada me radhë, ky shtet është ndërtuar mbi ndarje etnike në pushtet, në privilegje dhe mbi të gjitha në investime. Zonat shqiptare janë trajtuar jo si pjesë e shtetit, por si territor i huaj. Kryeministra kanë ardhur e kanë ikur, por padrejtësia ka mbetur e njëjtë, shtypje ekonomike dhe braktisje sistematike e tokave ku jetojnë shqiptarët.

Sot, për herë të parë, po shihet një sinjal se kjo ndarje e thellë mund të marrë fund. Sepse kjo tokë nuk ka pronar etnik ajo është tokë e Maqedonisë. Dhe shteti ose investon njësoj për të gjithë, ose nuk është shtet për askënd.

Maqedonia nuk ka det dhe nuk jeton nga turizmi veror. Por ka diçka që shumë vende evropiane do ta kishin zili e ajo ka një emër që quhet Kodra e Diellit.

Një pasuri natyrore që me investime serioze, mund ta shndërrojë vendin në hartë botërore të turizmit dimëror. Dikur në kohën e ish-Jugosllavisë, kjo qendër priste mijëra turistë të huaj.

E sot është lënë të rrënohet, të harrohet të shkatërrohet dhe ti humbë vlera që Zoti na ka falë.

Premtime ka pasur pafund. Qeveri, ministra e kryeministra kanë folur për investime të huaja, por realiteti ka qenë zero. As investim, as projekte, as vullnet. Vetëm fotografi e letra që silleshin nga një zyrë në tjetrën.

Por shtrohet pyetja ka guxim dhe vullnet që kryeministri Mickovski ta rikthejë Kodrën e Diellit më të fortë se Banskon e Bullgarisë?

Unë sot besoj se kjo mund të ndryshojë!

Sepse në ndarjen e investimeve kapitale, kryeministri Hristijan Mickoski tregoi diçka që rrallë është parë. Ndarje e parave nga kredia hungareze pa hile, pa privilegje, pa shantazhe, u ndanë për kokë banori, njësoj për të gjitha komunat. Dhe sot, në Tetovë, unë eci mbi rrugë të asfaltuara, jo si favor politik, por si e drejtë qytetare pa dallim etnie.

Kryeministri Mickovdki nuk ka investuar në Tetovë vetëm asfalt apo kanalizim, por ka dhënë një mesazh, se shteti mund të funksionojë pa ndarje etnike, pa qytetarë të dorës së parë dhe të dytë, pa privlegje komunë maqedonase apo komunë shqiptare, por qytetatë tē Maqedonisë.

Prandaj sot besoj se kryeministri Mickoski nuk e sheh Kodrën e Diellit si tokë shqiptare, as si tokë të Tetovës, e as si territor të huaj, por si tokë të shtetit të tij. Sepse zhvillimi i Kodrës së Diellit nuk e ngre vetëm Tetovën apo shqiptarët, por e ngre gjithë Maqedoninë.

Kodra e Diellit nuk ka fe, nuk ka komb dhe nuk njeh ndarje. Ajo është test për shtetin, ose do të mbetet simbol i padrejtësisë së vjetër, ose do të bëhet simbol i një Maqedonie të re, të barabartë dhe evropiane.

Dhe në fund të fundit historia nuk i mban mend kryeministrat që premtojnë.

Historia i mban mend kryeministrat që ndërtojnë dhe pikrisht kryeministri Mickovski mund të mbahet mend për investimin në Kodrën e Diellit.