Protesta të mëdha kundër ambicieve të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll Grenlandën pritet të mbahen sot në disa qytete të Danimarkës, përfshirë kryeqytetin, si dhe në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk.
Në rrjetet sociale, mijëra persona kanë deklaruar se do të marrin pjesë në protestat në Grenlandë dhe në Danimarkë, konkretisht në Kopenhagë, Aarhus, Aalborg dhe Odense, me iniciativë të disa organizatave grenlandeze.
“Qëllimi është të dërgohet një mesazh i qartë dhe i unifikuar në favor të respektimit të demokracisë dhe të drejtave themelore të njeriut në Grenlandë”, shpjegon Uagut, organizata kombëtare e qytetarëve të Grenlandës në Danimarkë, në faqen e saj zyrtare.
Organizatorët – Uagut, lëvizja qytetare “Duart larg Grenlandës” dhe Inuitët, një koalicion i shoqatave lokale grenlandeze – synojnë ta shfrytëzojnë praninë e një delegacioni të Kongresit amerikan në Kopenhagë për të ngritur zërin e tyre.
Që nga rikthimi i tij në pushtet një vit më parë, Donald Trump ka përmendur vazhdimisht marrjen e kontrollit mbi ishullin e madh arktik, strategjikisht të rëndësishëm, por pak të populluar, i cili i përket Danimarkës. Ai pretendon se do ta pushtojë “në një mënyrë apo tjetër”, me qëllim, sipas tij, përballjen me interesat ruse dhe kineze në Arktik.
Mbrëmë, këshilltari i tij i afërt, Stephen Miller, e konfirmoi qëndrimin e SHBA-së ndaj kësaj territorie. “Grenlanda është sa një e katërta e madhësisë së SHBA-së. Danimarka, me gjithë respektin e duhur, është një vend i vogël me ekonomi të vogël dhe ushtri të vogël. Ajo nuk mund ta mbrojë Grenlandën”, deklaroi ai për Fox News.
Megjithatë, SHBA-të nuk kanë ndërmend të “shpenzojnë miliarda dollarë për mbrojtjen” e asaj teritorie dhe më pas t’ia lënë sovranitetin Danimarkës, shtoi ai.
Ndërkohë, Franca, Suedia, Gjermania dhe Norvegjia, së bashku me Holandën, Finlandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, këtë javë njoftuan vendosjen e personelit ushtarak për një mision zbulues në Grenlandë, si pjesë e stërvitjes daneze “Qëndrueshmëria Arktike”, e organizuar me aleatët e NATO-s.