Promovohet libri “Kafshët Vertebrore në Rajonin e Pollogut”, një kontribut i rëndësishëm shkencor për biodiversitetin lokal

Tetovasot – Është publikuar libri shkencor dhe edukativ “Kafshët Vertebrore në Rajonin e Pollogut”, një botim i rëndësishëm që trajton në mënyrë sistematike diversitetin e faunës vertebrore në rajonin e Pollogut, duke sjellë një pasqyrë të plotë mbi pasurinë biologjike të kësaj zone.

Siç thuhet në botim, “libri ofron të dhëna të strukturuara mbi përhapjen, karakteristikat dhe rëndësinë ekologjike të grupeve kryesore të vertebrorëve”, duke e bërë atë një burim të vlefshëm referimi për studentë, studiues, mësimdhënës dhe profesionistë të biologjisë, ekologjisë dhe shkencave mjedisore, citon Tetovasot.

Autorët e këtij botimi janë Sheval F. Memishi, Ajten Rushiti-Dauti, Mergime Abduli dhe Jehona Ibrahimi, të cilët përmes këtij punimi kanë dokumentuar në mënyrë shkencore biodiversitetin lokal, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me nevojën për mbrojtje dhe menaxhim të qëndrueshëm të faunës.

Sipas autorëve, ky botim “paraqet një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin shkencor të biodiversitetit lokal dhe në promovimin e edukimit mjedisor”, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së specieve dhe habitateve natyrore në Pollog, shkruan Tetovasot.

Libri vlerësohet si një hap domethënës drejt forcimit të kulturës shkencore dhe ndërgjegjësimit mjedisor në rajon, si dhe një bazë solide për studime të mëtejshme në fushën e faunës dhe biodiversitetit.

Promovohet libri “Kafshët Vertebrore në Rajonin e Pollogut”, një kontribut i rëndësishëm shkencor për biodiversitetin lokal