Prokurorja publike Lençe Ristoska ka reaguar ndaj pretendimeve që kryeministri Hristijan Mickoski i ka bërë në një intervistë të fundit për portalin „Vecer.mk“, ku duke folur për tema aktuale që lidhen me ligjet për drejtësinë dhe propozim-ndryshimet e Kodit Penal, e quan atë „mediokritete“ dhe pajtohet me konstatimin e gazetares se bëhet fjalë për një „matricë klienteliste-politike“. Mickoski nuk e përmend prokuroren me emër, por nga përmbajtja e deklaratës është e qartë se bëhet fjalë për të, ka publikuar „360 Gradë“.
“Lidhur me intervistën e kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për portalin ‘vecer.mk’, në të cilën ndaj meje u bënë fyerje dhe diskualifikime profesionale të pabazuara, kam ndërmarrë hapa përkatës institucionalë dhe personalë për mbrojtjen e nderit, reputacionit dhe pavarësisë sime profesionale. Konkretisht, në intervistë kryetari i Qeverisë paraqet vlerësime të pasakta dhe poshtëruese, duke nënkuptuar se jam ‘mediokritete’ me ‘matricë klienteliste-politike’, si dhe më lidh me pretendime plotësisht të shpikura për deklarata që nuk i kam dhënë, me tendencë të qartë për të vënë në pikëpyetje integritetin tim profesional”, thotë prokurorja Ristoska.
Kërkesën për kërkim-falje publike dhe tërheqjen e pretendimeve kontestuese, ajo ia ka dorëzuar me shkrim kryeministrit. Njëkohësisht, ajo ka dërguar edhe një njoftim me shkrim te Këshilli i Prokurorëve Publikë, në të cilin thekson se me këtë gjuhë publike nga ana e kryeministrit cenohet pavarësia e saj si prokurore publike.
Prokurorja thotë se deklaratat e kryeministrit i përjeton si presion të papërshtatshëm ndaj punës së saj.
“Dua të theksoj se në rrethanat aktuale, kryetari i Qeverisë është njëkohësisht edhe kryetar dhe përfaqësues ligjor i partisë politike që është e përfshirë në procedura penale në të cilat unë veproj si prokurore publike dhe ai ka interes të qartë juridik nga epilogu i tyre. Për këtë arsye, këto deklarata i përjetoj si presion të papërshtatshëm ndaj punës sime dhe si tentativë për të ndikuar në veprimet dhe vendimmarrjen time”, thekson Ristoska.
Ndryshe, prokurorja Ristoska është përgjegjëse për lëndën “Talir 2”, në të cilën është ngrirë e gjithë pasuria partiake e VMRO-DPMNE-së, përfshirë edhe selinë e partisë.
