PO TË ISHTE ZVICRA SI VENDET E BALLKANIT, DO TË ISHTE PARAJSA VETË!

Shkruan: Merxhan Jakupi

Një miku im zviceran kishte qenë në pushime në Ohër, në Pogradec, në rivierën shqiptare dhe në Greqi. Duke pirë ngeshëm kafe në një restorant, e pyeta se si i kishte kaluar pushimet në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Miku më tha se ishte i fascinuar me natyrën dhe klimën e mirë që kanë këto vende. Më vjen shumë keq, tha ai, se si të rinjtë ikin dhe e lënë këtë tokë parajsë. Dëgjo, më tha, Zvicra është tokë e egër, me shumë reshje dhe pak diell. “Ne nuk kemi pasuri tokësore dhe nëntokësore. Po ta kishim tokën si ju, me det, liqene, tokë pjellore dhe klimë tropikale, me male dhe peizazhe piktoreske, ne zviceranët do ta bënim Zvicrën parajsë”, tha ai, me një seriozitet solemn, tipik për një zviceran.
Unë, me buzëqeshje, i thashë: “Po ju, edhe pse Zvicra është gjeografikisht e varfër, e keni bërë këtë shtet parajsë në zemër të Europës”. Ai më në fund qeshi pa të keq.
Ndërkohë, unë vazhdova: “Maqedonia, për nga sipërfaqja, është sa gjysma e Zvicrës. Ka afër 24 mijë km katrorë, me më pak se dy milionë banorë, ku afër gjysma jetojnë në shtetet perëndimore, ndërsa mbi një milion banorë që janë në Maqedoninë e Veriut jetojnë në varfëri dhe mjerim”.
Miku im zviceran, zoti Scheneberg, me humor dhe oratori e vazhdoi bisedën, një bisedë mes miqsh që vjen e qetë dhe me një sens për t’i shpjeguar dhe kuptuar gjërat.
Filozofi anglez Bertrand Russell shkruan: “E gjithë kauza dhe gjendja e një shteti dhe populli varet prej lidershipit, elitës politike dhe se si ata e qeverisin shtetin”. Populli siç thotë një maksimë e Aristotelit, është zoon politikon (kafshë politike).

Pas shpërbërjes së komunizmit dhe shembjes së murit të Berlinit, në shtetet e Ballkanit filloi pluralizmi, liria e fjalës dhe qeverisja e demokracisë parlamentare. Në zgjedhjet e para demokratike në Maqedoni, më kujtohen fushatat dhe kampanjat elektorale, në të cilat shfaqeshin dhe ekspozoheshin liderë amatorë, që ende nuk i njihnin vlerat e demokracive liberale-perëndimore. Këta diletantë, liderë maqedonas dhe shqiptarë, dilnin me një narrativë dhe retorikë politike, me parulla të thata dhe slogane boshe, nën moton “Maqedoninë do ta bëjmë si Zvicra”.
Shumë mërgimtarë të emocionuar e entuziast kishin ardhur, në ato fillimet e demokracisë, për të votuar në zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë. Ne që ishim tubuar, dëgjuam një lider që me zë të lartë dhe emocione thoshte se Maqedoninë do ta bëjmë Zvicër. Një mik imi nga Zvicra, duke qeshur, tha: “Po, po. Të bëjmë këmbimin e territoreve dhe të liderëve. Me elitën politike së bashku me popullin zviceran, pas disa dekadash Maqedoninë do ta bëjnë Zvicër. Kurse liderët tanë politikë dhe elita e korruptuar e inkriminuar, së bashku me popullin, pas disa dekadash Zvicrën do ta bëjnë si Maqedonia, ose më mirë me thënë një sindrom ballkanik”.