Ish-presidenti Stevo Pendarovski, përmes mediave, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili sot, në një brifing me gazetarët, e akuzoi se si kreu i shtetit ka marrë vendime të paligjshme dhe antikushtetuese gjatë pandemisë së COVID-it.
“Vërtet mendova të mos i jap rëndësi zotit Mickoski, sepse e kuptoj nevojën e tij që rezultatet katastrofike të deritanishme të qeverisjes së tij t’i mbulojë me komente për gjëra që nuk i kupton, por për hir të publikut do të duhet të shpjegoj disa çështje që, për fat të keq, ‘ekspertit të energjetikës’ më parë nuk ia kanë shpjeguar ‘juristët e tij të mëdhenj’.
Së pari, Gjykata Kushtetuese, që më shumë se pesë vite më parë, me shumicë votash, KA KONFIRMUAR se vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Së dyti, dekretet me fuqi ligjore i ka miratuar dhe i ka zbatuar Qeveria. Nëse ka pasur abuzime atje, institucionet shtetërore që tani janë nën kontroll të plotë të Mickoskit mund t’i verifikojnë kur të duan, nëse duan.
Së treti, të gjitha vendimet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nga ana ime janë dorëzuar në Kuvend dhe kjo menjëherë pas përfundimit të asaj gjendjeje.
Më është e qartë se as ky shpjegim nuk do ta ndalë Mickoskin të vazhdojë me akuza të pabaza dhe shpifje, sepse kjo është, për fat të keq, e vetmja mënyrë me të cilën ai është mësuar të qeverisë,” reagoi Pendarovski.
Ekzistojnë dyshime serioze se një pjesë e vendimeve të marra nga ish-presidenti Stevo Pendarovski gjatë pandemisë së COVID-it kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij, kjo hap çështjen e përgjegjësisë institucionale dhe penale. Ai i bëri thirrje edhe Prokurorisë që të veprojë mbi bazë të indicieve.
Akuzat ndaj Pendarovskit nga ana e kryeministrit u paraqitën në kontekstin e pretendimit se ish-ministri i Shëndetësisë dhe lideri aktual i LSDM-së, Venko Filipçe, me ndihmën e ish-kryeministrit Zoran Zaev, përmes shantazhit dhe presionit, janë përpjekur të marrin pronësinë e klinikës private të kardiokirurgut Zhan Mitrev.
“Ne e dinim se çfarë ndërhyrjesh mafioze ndodhnin, veçanërisht në atë periudhë kur shpallej ajo, do të thosha, gjendje e jashtëzakonshme, kur me dekrete me fuqi ligjore ligji dhe Kushtetuta në Maqedoni u mbivendosën. Ka shumë dëshmi që flasin për sjelljen e qeverisë në atë periudhë; ju e dini, ende ato dekrete ligjore dhe vendime të Stevo Pendarovskit nga ajo periudhë qëndrojnë të papërfunduara në Kuvend. Duhet t’i shohim dhe Kuvendi të shprehet në periudhën në vijim, dhe me këtë të shohim nëse ndoshta ka edhe përgjegjësi këtu nga ana e ish-presidentit.”