Pas rrëzimit të Maduros, kërcënimet e Trumpit e vënë Teheranin në ankth

Vetëm pak ditë pasi rrëzoi nga pushteti udhëheqësin venezuelian Nicolas Maduro, Presidenti Donald Trump ka kërcënuar të ndërmarrë veprime ushtarake kundër armiqve të tjerë të SHBA-së.

Kapja e Maduros në një bastisje amerikane më 3 janar ka tronditur Teheranin, një aleat të ngushtë të liderit të Venezuelës.

Sulmi në Venezuelë i ka dërguar një sinjal të qartë Teheranit se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin forcën për të larguar armiqtë e tyre, thonë ekspertët.

Trump kohët e fundit e paralajmëroi Iranin se Uashingtoni ishte “i përgatitur dhe i gatshëm të ndërhynte nëse Teherani vriste “protestues paqësorë” gjatë protestave të vazhdueshme kundër establishmentit. Forcat iraniane të sigurisë deri më tani kanë vrarë të paktën 19 protestues në një shtypje brutale shtetërore.

‘Vetë Khamenei mund të jetë në shënjestër’

Ekspertët thonë se është e pamundur që Shtetet e Bashkuara të përsërisin operacionin e tyre në Venezuelë në Iran dhe të rrëzojnë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 1989.

Habib Hosseinifard, një analist politik me bazë në Gjermani, tha se Venezuela ndodhet në “oborrin e shtëpisë” strategjike të Shteteve të Bashkuara, ndërsa Irani ndodhet mijëra kilometra larg në Lindjen e Mesme. Republika Islamike gjithashtu ka aftësi më të mëdha ushtarake dhe një sistem politik më të rrënjosur, tha ai.

Megjithatë, ekspertë të tjerë thonë se kapja e Maduros nga SHBA-të i ka dërguar një mesazh shqetësues Teheranit.

Damon Golriz i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Hagë tha se largimi i Maduros sinjalizon se Shtetet e Bashkuara po kalojnë përtej presionit ndaj qeverive, duke synuar udhëheqës individualë.

“Ndryshe nga më parë, këtë herë vetë Khamenei mund të jetë në shënjestër”, i tha Golriz Radio Farda të Radios Evropa e Lirë.

Në fakt, gjatë luftës 12-ditore me Izraelin në qershor, Izraeli kërkoi në mënyrë aktive të vriste Khamenein, por, siç e tha Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, nga ana operative “nuk ishte realiste” ta shënjestroje atë sepse ai kishte hyrë “shumë thellë në fshehtësi”.

“Të qëndrosh pranë udhëheqësit tani është bërë më e kushtueshme sesa të distancohesh prej tij”, tha për Radio Farda Mohammad Ghaedi, një lektor në Universitetin George Washington. “Tabuja e udhëheqësit që është i paprekshëm është thyer”./ REL