Osmani nga Davosi: Liberalizimi i vizave me Singaporin, hapi i radhës





Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Davos me Presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam, duke vazhduar dialogun e nisur në takimin e tyre të parë në Singapor.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani bëri të ditur se u diskutuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Singaporit, si dhe mundësitë konkrete për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe koordinimin në arenën ndërkombëtare.

Pas liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, Presidentja Osmani propozoi që hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm që do të forconte bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe do t’i afronte më shumë popujt e tyre.

“Pas liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, Presidentja Osmani propozoi që hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar tutje Osmani.

Po ashtu, në takim u diskutua edhe organizimi i një forumi të përbashkët ekonomik, si dhe hapja e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.