Orhan Ibrahimi: Në vend të një urimi për ditëlindjen e Arbën Xhaferit!





Shkruan: Orhan Ibrahimi

Përçarja nuk lind rastësisht, as ndasitë nuk janë produkt i fatit politik. Ato krijohen, kultivohen dhe shfrytëzohen nga njerëz dhe qarqe që politikën nuk e shohin si shërbim, por si mjet pushteti dhe pasurimi. Brenda subjekteve politike dhe në vetë korpusin politik shqiptar, këta individë kanë ndërtuar karriera personale mbi fragmentimin e interesit kolektiv, duke e shndërruar politikën nga hapësirë përfaqësimi në instrument për zhvatje dhe korrupcion.

Iluzioni më i madh është pritja se këta aktorë do të vetëdijesohen. Se, në një moment reflektimi moral, do të tërhiqen vullnetarisht nga skena që vetë e kanë deformuar. Historia politike nuk njeh raste të tilla. Pushteti i ndërtuar mbi korrupsion, ndasi dhe manipulim nuk braktiset nga ndërgjegjja, por vetëm duke u përballur.

Prandaj, largimi i tyre nuk është akt hakmarrjeje, as shtytje emocionale, por një domosdoshmëri politike, kombëtare dhe morale. Pa këtë shkëputje, nuk ka reformë reale, nuk ka emancipim politik dhe as shpresë për ndërtimin e një rruge që buron nga interesi i përgjithshëm i shqiptarëve.
Politika shqiptare nuk mund të ecë përpara duke mbajtur peng figurat e së kaluarës që jetojnë nga përçarja, frikësohen nga uniteti dhe e shohin realizimin e interesave kombëtare si kërcinim për mbijetesën e tyre.

Do të mbetesh fanar i mendimit dhe i guximit politik, për ne dhe për kohët që vijnë, Arbën Xhaferi.