Nis fushata në rrjetet sociale: Izet Mexhiti lider i VLEN-it?

Lideri i koalicionit VLEN është një nga temat më aktuale në opinionin publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Kjo për faktin se drejtuesit e këtij koalicioni kanë premtuar se pas Vitit të Ri, të gjitha partitë politike që përbëjnë VLEN-in do të shkrihen në një subjekt të vetëm politik, ku më pas do të zgjidhet edhe lideri i partisë së re.

Portali TS, ditë më parë, publikoi një dokument të përpiluar nga Zeqirja Ibrahimi, ku parashihet që udhëheqja e VLEN-it të funksionojë me rotacion njëvjeçar për një periudhë katërvjeçare. Pas përfundimit të këtij cikli, sipas dokumentit, partitë do të shkrihen dhe lideri do të zgjidhet përmes votimit në kongres.

Megjithatë, edhe pse ishte paraparë një takim mes liderëve të VLEN-it para Vitit të Ri për të diskutuar këtë ide, takimi nuk u mbajt dhe nuk u dha asnjë sqarim zyrtar se kush ishte kundër realizimit të tij. Sipas burimeve të Portalit TS brenda VLEN-it, ideja për zgjedhjen e liderit të koalicionit është bllokuar për shkak të mospajtimit të Adnan Azizit.

Deri më tani, e gjithë kjo ka mbetur vetëm në nivel idesh, duke krijuar paqartësi dhe mjegull politike, ndërsa ka dyshime se vetë drejtuesit nuk janë të interesuar që VLEN-i të shndërrohet në një parti të vetme.

Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë nisur thirrje të shumta për zgjedhjen e një lideri të VLEN-it. Shumë profile dhe aktivistë të ndryshëm kërkojnë që Izet Mexhiti të jetë kryetar i kësaj force politike. Në reagime të publikuara online, theksohet se Mexhitit po i bëhet padrejtësi, duke vlerësuar se ai ka marrë rrezikun më të madh politik për krijimin dhe forcimin e VLEN-it.

Sipas këtyre zërave, përçarja brenda koalicionit ka filluar dhe pritet të thellohet nëse nuk zgjidhet çështja e udhëheqjes. Ata argumentojnë se zgjedhja e Izet Mexhitit si kryetar do të ndihmonte në konsolidimin e skenës politike shqiptare, duke shmangur fragmentarizimin në shumë parti dhe humbjen e mandateve parlamentare. Gjithashtu, në reagime kritikohet qasja lokaliste, duke theksuar se nuk ka arsye pse një politikan nga Shkupi të mos udhëheqë një forcë politike mbarëkombëtare./TS/