Nafie Selmani: Pse zëvendësministri i Arsimit në dorëheqje falënderoi vetëm krerët e Alternativës, e jo VLEN-in?





Aktivistja qytetare Nafie Selmani ka reaguar ndaj dorëheqjes së zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës nga radhët e VLEN-it, i cili njoftoi për vendimin e tij përmes Facebook-ut, pa bërë publike arsyet e largimit.

Selmani vë në pah se në njoftimin e dorëheqjes, zëvendësministri ka falënderuar vetëm kryetarët dhe ish-kryetarët e Alternativës, duke anashkaluar partnerët e tjerë të koalicionit VLEN. Sipas saj, një veprim i tillë nuk është korrekt, pasi mandati nuk është fituar si përfaqësues i një partie të vetme, por si pjesë e një koalicioni.

Ajo thekson se ky përjashtim i qëllimshëm i partnerëve të koalicionit vetëm sa përforcon pretendimet e saj të mëhershme se brenda VLEN-it ekzistojnë mosmarrëveshje të thella dhe përçarje serioze, të cilat, sipas saj, tashmë janë konfirmuar edhe nga vetë kryeministri.

Në fund, Selmani shpreh qëndrimin se zëvendësministri do të kishte treguar më shumë seriozitet dhe përgjegjësi sikur dorëheqjen ta kishte dorëzuar rreth dy muaj më parë, në kohën kur shpërtheu skandali me librin e Gjeografisë, i cili u bë temë mediatike jo vetëm në vend, por edhe në Kosovë dhe Shqipëri.